Osmani pritet nga presidenti maqedonas Pendarovski

Me nderime të larta shtetërore e ushtarake nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka pritur presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në komunikatën për media të presidencës së Kosovës bëhet e ditur se të dy presidentët i kanë rikonfirmuar raportet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Presidentja Osmani, sipas komunikatës, ka theksuar se raportet me Maqedoninë e Veriut janë të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe të forcuara nga synimi i përbashkët për të ardhmen euroatlantike të vendeve tona.

“Ne jemi dy shtete fqinje dhe synimi ynë është e ardhmja e përbashkët euroatlantike. Në këtë përpjekje, marrëdhëniet tona janë model i funksionimit në Ballkanin Perëndimor. Angazhimi ynë për marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e stabilitet është edhe në funksion të stabilitetit në rajon e më gjerë. Maqedonia e Veriut është partner i besueshëm i Kosovës, ndaj vlerësojmë lartë mbështetjen e deritashme dhe llogarisim në mbështetje të vazhdueshme në përpjekjet tona për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë Osmani.

Teksa ka folur për raportet ndërfqinjësore, Presidentja Osmani, ka theksuar se lidhjet ndërmjet të dy shteteve bëhen edhe më të fuqishme me kontributin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Ajo tha se shqiptarët kishin rol kyç në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut ndërkaq sot janë kontribuues kyç për perspektivën evropiane të saj”- thuhet në komunikatë.

Presidentja Osmani ka potencuar se përfundimi më i shpejtë i autostradës Bllacë-Shkup do të krijojë mundësi më të mirë për lëvizje të qytetarëve të të dy shteteve dhe për shkëmbime të dyanshme.

Sipas komunikatës, në takim është përmendur edhe nevoja e hapjes së pikave të reja kufitare për ta lehtësuar më tej lëvizjen në drejtim të të dy shteteve.

Përveç kësaj dy homologët kanë folur edhe për zhvillimet aktuale politike dhe ato në fushën e sigurisë.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me aleatët dhe se mbetet e përkushtuar për paqe e stabilitet. Presidentja Osmani dhe Presidenti Pendarovski kanë biseduar edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të tjera të interesit të dyanshëm”- thuhet në komunikatë.

Presidentja Osmani sot ka fillur vizitën zyrtare të saj në Maqedoninë e Veriut.

Përveç Pendarovskit e para e vendit do të takoj edhe me kryeministrin Dimitar Kovacevski.

Përgjatë ditës, ajo poashtu do të ketë takime të ndara edhe me grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend si dhe një drekë pune të përbashkët me gra lidere të fushave të ndryshme.

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova në komunën e Çairit. Ndërkaq në selinë e Ambasadës së Kosovës, Presidentja Osmani do ta dekorojë post-mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, liderin ikonik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut,  Arbën Xhaferi.