Osmani: Objektivi i 'Defender 2023' është ta shfaqë aftësinë ushtarake kundër agresorëve të mundshëm

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ushtrimi ndërkombëtar “Defender Europe 2023”, është simbol i vendosmërisë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin “në një botë që po sfidohet vazhdimisht”.

Në ceremoninë hapëse, komandatja supreme e FSK-së tha se ky ushtrim tregon që forca e vendit nuk qëndron vetëm te fuqitë e armëve, por në lidhjet dhe aleancat që ndërton.

“Ky ushtrim ndërkombëtar është simbol i vendosmërisë sonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe sovranitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë që forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që ne krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë dhe ne vlerat e përbashkëta ta cilat çdo ditë i kultivojmë. Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që tentojnë të na ndajnë duke dëshmuar se uniteti dhe bashkëpunimi ynë është çelës për një të ardhme të sigurtë dhe paqësore” – tha ajo.

“Objektivi kryesor i ‘Defender 2023’ është ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarake të SHBA-së dhe forcave aleate kundër agresorëve të mundshëm dhe për t’i siguruar aleatët dhe partnerët evropianë që kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme” – ka theksuar presidentja Osmani.

Ajo tha se Defender 2023’ përkon edhe me 24-vjetorin e çlirimit e Kosovës, duke shtuar se kosovarët ishin viktima të regjiimit të Millosheviqit.

“Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropian, për Forcën tonë të Sigurisë. ‘Defender 2023’ përkon edhe me 24-vjetorin e çlirimit tonë që është ditë po aq e freskët sa kujtesa e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së me forcat e vendeve tjera aleate të NATO-s kundër gjenocidit të Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës. Ne ishim viktima e regjimi i Millosheviqit ishte agresori e lufta jonë ishte luftë për liri, kjo është e vërteta e vetme që do ta mbrojmë çdo herë e kudo”- ka thënë ajo.

“Defender Europe 2023” drejtohet nga ushtria amerikane. Kosova është mikpritëse e mbi 1 mijë trupave. Ushtrimet do të kryhen në Bokë dhe aeroportin e Gjakovës.

Stërvitja do të mbahet nga data 21 maj deri me 2 qershor.