Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani në varrimin Ahtisaarit shpreh mirënjohjen për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës

Me ftesë të Qeverisë finlandeze, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ish-presidentin Fatmir Sejdiu, morën pjesë sot në varrimin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahstisaari.

Në njoftim thuhet se në funeralin shtetëror të mbajtur në Helsinki ishin prezent më shumë se 800 të ftuar, krerë e përfaqësues të shteteve, si dhe bashkëpunëtorë nga etapa të ndryshme të karrierës së Ahtisaarit.

“Sot i dhamë lamtumirën e fundit burrështetasit dhe paqebërësit Martti Ahtisaari. Përkushtimi i palodhshëm i Presidentit Martti Ahtisaari ndaj diplomacisë, zgjidhjes së konflikteve dhe të drejtave të njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën tonë”- citohet të ketë thënë Osmani.

Tutje, ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe për shërbimin e tij shembullor.

Në njoftimin e Presidencës së Kosovës thuhet se mysafirët në varrimin e Presidentit Ahtisaari janë ftuar nga Qeveria finlandeze në përputhje me dëshirat e familjes së Presidentit Ahtisaari.

Foto: Presidenca e Kosovës
Foto: Presidenca e Kosovës

Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur më 16 tetor, ndërsa funerali i tij u mbajt më 10 nëntor.

Ahtisaari ka qenë presidenti i dhjetë i Finlandës, duke shërbyer nga marsi i vitit 1994 deri në shkurt të 2000-tës. Gjatë kësaj kohe Finlanda u bashkua me Bashkimin Evropian dhe kapërceu një recesion të rëndë ekonomik.

Pas largimit nga detyra si President i Republikës së Finlandës, Ahtisaari vazhdoi karrierën e tij në ndërmjetësimin ndërkombëtar të paqes dhe zgjidhjen e konflikteve dhe t’ua linte trashëgiminë dhe njohuritë e tij ndërmjetësuesve të ardhshëm të paqes.

Në nëntor të vitit 2005, ish-presidenti finlandez mori pozitën e të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për procesin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Në atë vit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duke vepruar në bazë të konkluzioneve të Këshillit të Sigurimit se situata në Kosovë nuk ishte më e qëndrueshme, i kërkoi Marti Ahtisaarit të udhëheqë procesin politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës.