Osmani në pritjen shtetërore: Mirënjohëse ndaj të gjithë aleatëve dhe miqve të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në pritjen shtetërore të organizuar për nder të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë ka falënderuar shtetet mike dhe aleatët e Kosovës në rrugën drejt shtetndërtimit.

“U jam mirënjohëse të gjithë aleatëve dhe miqëve tanë, ju keni qenë një fanar drite në orët tona më të errëta”- tha Osmani.

Osmani theksoi se me mbështetjen e aleatëve, Kosova dhe populli i saj ka arritur aty ku sot janë, të pavarur dhe sovranë.

“Këtë mbramje duhet të flas për aleatët dhe miqësitë, për rëndësinë historike e dhe vlerën e jashtëzakonshme të tyre,që vazhdojnë ta kenë në rrugëtimin e shtet ndërtimit tonë. Nga ju dhe përmes jush ne kemi mësuar se nuk jemi vetëm… Të dashur miq, në jetë do të hasim dallime në mes nesh por sonte jemi të bashkuar për të nderuar Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës. Të gjithë besuam në këtë rrugëtim të drejt, ne besojmë edhe në një të ardhme të ndritur”- tha ajo.

“15 vjet më parë përballeshim me shumë pasiguri dhe sfida por ne refuzuam që të hiqnim dorë nga ato. Në qëndruam të bashkaur dhe si të tillë kemi kapërcyer çdo sifdë. Vendosmëria e popullit dhe mbështetja e aleatëve mundësoi këtë që jemi sot”- theksoi presidentja Osmani gjatë fjalës së saj.

Sot janë bërë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pavarësia së Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.