Osmani: Në misionin tonë për garantim të barazisë gjinore nuk ka ditë pushimi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është duke punuar vazhdimisht në ndërtimin e demokracisë dhe fuqizimit të grave në Kosovë.

“Diversiteti, barazia dhe gjithëpërfshirja qëndrojnë në themelet e një demokracie që frymon në shpirtin e barazisë, por në qendër të çdo veprimi është aktivizimi qytetar. Gratë dhe burrat e Kosovës, qytetarët tanë duk i ndjekur idealet i kanë dhënë kah demokracisë”- tha ajo.

Në fjalinë hyrëse në kuadër të Javës së Gruas, e parja e shtetit tha që një demokraci e e mirëfilltë është një demokraci që kontribuon për fuqizimin e gruas në shoqëri.

“Fatkeqësisht Institucione të caktuara punojnë me intensitet më të lartë e disa e kanë marrë më shtruar këtë çështje. Në vendin tonë ende vriten gratë sepse ka ende shumë për t`u bërë. Në misionin tonë për garantim të barazisë gjinore nuk ka ditë pushimi”- ka thënë ajo.

Zaina Salahi, drejtore e USAID në Kosovë tha që misioni i kësaj zyre është fuqizimi i grave dhe demokracisë.

“Përfaqësimi i grave është në zemër të punës së USAID. Ne do të vazhdojmë ta përkrahim Kosovën derisa e ndërton një demokraci të fuqishme. Kosova e ka festuar përvjetorin e 15 të pavarësisë këtë vit, dhe mund të vërtetoj përpjekjet e saj për pjesëmarrjen e gruas në jetën shoqërore. Gratë ende nuk janë të përfaqësuara në nivelet e vendimmarrjes, komunitetet joshumicë gratë ende nuk janë të përfaqësuar siç duhet”- tha ajo para të pranishmëve.

Katharin Stchker, drejtore e zyrës për bashkëpunim nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë tha që ende ka punë për t`u bërë për fuqizimin e gruas në qeverisjen lokale.

“Përkundër shenjave të fuqishme të progresit në zgjedhjet e fundit lokale ende ka punë për pjesëmarrjen e grave. Në do të intervenojmë në fushën e qeverisjes lokale që stimulon barazinë gjinore, demokracia kërkon ushqim të vazhdueshëm për të sjellë prosperitet, dhe qeveria duhet të siguroj politikat dhe praktikat që përqafojnë barazinë gjinore”- ka thënë tutje ajo.

Sot ka filluar edicioni i 10-të i javës së gruas në Kosovë. Ky aktivitet i përvitshëm mbledh 130 pjesëmarrës në baza ndër-partiake dhe ndër-etnike.

Java e Gruas synon që të bëjë bashkë gra dhe burra në Kosovë, për të diskutuar çështjet me rëndësi për qytetarët duke ofruar mundësi rrjetëzimi dhe të zhvillojë më tutje shkathtësitë e tyre si liderë të ardhshëm.