Presidentja Vjosa Osmani, 15 janar 2022, Foto: Facebook
Osmani: Muaji i Ramazanit, mundësi e mirë për të menduar për të gjithë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të shënjtë të Ramazanit.
Osmani ka thënë se ky muaj është mundësi e mirë për të menduar për të gjithë, për të ndarë diçka nga vetja për të tjerët dhe për ta shpërfaqur shpirtin solidar.
“Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, dua t’i uroj të gjithë besimtarët e fesë islame për këtë muaj të sakrificës dhe solidaritetit. Ky muaj është mundësi e mirë për të menduar për të gjithë, për të ndarë diçka nga vetja për të tjerët dhe për ta shpërfaqur shpirtin solidar, siç di dhe e ruan këtë traditë populli ynë ndër shekuj”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Tutje, ajo ka theksuar se ky muaj është adekuat për një përpjekje të përbashkët për mbështetje të njëri-tjetrit.
“Ne kemi nevojë për shpresë, kurajo dhe mbështetje të njëri tjetri, ndaj ky muaj është adekuat për një përpjekje të përbashkët dhe dëshmi se duke bashkëndjerë me nevojtarët e bëjmë shoqërinë më humane e shtetin më të konsoliduar”, thuhet gjithashtu në njoftim të Presidencës.
Muaji i Ramazanit nis të shtunën, 2 prill dhe do të zgjasë 30 ditë.
Urimi i plotë i presidentes, Vjosa Osmani:
Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, dua t’i uroj të gjithë besimtarët e fesë islame për këtë muaj të sakrificës dhe solidaritetit. Ky muaj është mundësi e mirë për të menduar për të gjithë, për të ndarë diçka nga vetja për të tjerët dhe për ta shpërfaqur shpirtin solidar, siç di dhe e ruan këtë traditë populli ynë ndër shekuj.
Ne kemi nevojë për shpresë, kurajo dhe mbështetje të njëri tjetri, ndaj ky muaj është adekuat për një përpjekje të përbashkët dhe dëshmi se duke bashkëndjerë me nevojtarët e bëjmë shoqërinë më humane e shtetin më të konsoliduar.
Të dashur besimtarë, le të kalojë ky muaj në harmoni, paqe e mirëkuptim! Ju qoftë agjërimi i lehtë në muajin e shenjtë të ramazanit!