Vjosa Osmani dhe Stuart B. Munsch

Osmani flet me kreun e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s për sulmin terrorist në Banjskë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot është takuar me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Admiralin Stuart B. Munsch.

Përmes një komunikatë për media, Presidenca ka bërë të ditur se presidentja Osmani e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitietit dhe paqes në Kosovë dhe rajon, pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.

“Presidentja Osmani theksoi nevojën e marrjes së masave konkrete kundër Serbisë pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist nga grupet paramilitare dhe kriminale të udhëhequra në terren nga Millan Radoiçiq dhe politikisht nga Aleksandar Vuçiq. Ajo nënvizoi se Serbia duhet t’i tërheqë trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën pasi që ato përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Presidenca ka thënë se Osmani ka vlerësuar angazhimin e shtuar të KFOR-it dhe të NATO-s, në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit Kosovë – Serbi dhe e konsideroi atë si veprim të nevojshëm për ta parandaluar përsëritjen e aktit të ndodhur me 24 shtator.

“Në takim, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë në mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të NATO-s, në ballafaqimin me sfidat e sigurisë në vend dhe rajon” – thuhet në fund të komunikatës së presidencës.

Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit. Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Më 29 shtator 2023, Millan Radoiçiq, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.