Osmani e Konjufca bëjnë homazhe te varret e Jusuf e Bardhosh Gërvallës në 41-vjetorin e vrasjes së tyre
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf e Bardhosh Gërvallës në Dubovik të Deçanit.
Ata kanë nderuar vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën në 41-vjetorin e vrasjes së tyre nga shërbimi sekret serbo-jugosllav, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Osmani ka thënë se liria mban edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut.
“Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët”- ka thënë Osmani.
Më pas, Osmani, Konjufca e Gërvalla kanë vizituar edhe Kullën-Memorialin e familjes Gërvalla, ku të pranishëm ishin edhe familjarë e qytetarë të tjerë.
Osmani e Konjufca bën homazhe dhe vendosen lule edhe te busti i heroit Kadri Zeka, në Prishtinë.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se profili i Jusuf Gërvallës është ai i një personaliteti kompleks, i një gazetari dhe aktivisti, i një poeti dhe këngëtari, si dhe i një patrioti që formimin e tij intelektual e përktheu në aktivitet politik, thellësisht politik.
“Si sot, plot 41 vite më parë, më 17 janar 1982, shërbimi sekret i Jugosllavisë vrau në Untergrupenbach pranë Heilbronnit në Gjermani, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën. Arsyeja e këtij atentati kriminal të autoriteteve të Serbisë, ishte aktiviteti i tyre për më shumë liri, për liri të plotë për shqiptarët, për çlirimin e Kosovës, për Republikën e Kosovës”- ka thënë Kurti.