Foto: Universiteti "Kadri Zeka" në Gjilan/Facebook

Studimet, zgjedhjet e të rinjve mes dëshirës dhe mundësisë financiare

Kur nxënësit mbarojnë shkollën e mesme fillojnë të mendojnë për të ardhmen e tyre, dilemat se çfarë të studiojnë janë të shumta. Ka disa faktorë që ndikojnë në zgjedhjet e tyre, si suksesi në shkollë, familja, shoqëria por edhe kushtet ekonomike.

Disa prej tyre zgjedhin të studiojnë dëshirat e fëmijërisë kurse të tjerë kur të vijë koha për të zgjedhur drejtimin në të cilin dëshirojnë të studiojnë, ata vendosin sipas dëshirave dhe rekomandimeve të familjes.

Mundësitë e zgjedhjes së drejtimeve ku ata dëshirojnë të studiojnë kufizohen edhe nga drejtimet që i ofrojnë universitetet publike e private në Kosovë.

Nëse nuk i kanë mundësitë financiare për të studiuar në kolegje private apo në universitete publike në qytetet e tjera detyrohen të studiojnë në universitetet publike në qytetet ku ata jetojnë, në mënyrë që të kenë më pak shpenzime për shkollimin e tyre. Disa prej tyre edhe punojnë në mënyrë që mos t’i bëhen barrë familjes.

Kështu ndodh edhe me të rinjtë nga Gjilani, të cilët në universitetin publik nuk kanë mundësi të studiojnë drejtime si mjekësia, gazetaria, filozofia, psikologjia e shumë të tjerë.

Programet e ofruara nga Universiteti i Gjilanit

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan nuk ofron shumë opsione për maturantët në Gjilan. Në këtë universitet nxënësit mund të studiojnë në Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Edukimit, Fakultetin Juridik, Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetin e Shkencave Aplikative.

Studentja e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, Albana Asllani, ka thënë se ka nevojë për modifikimin e programeve të reja studimore.

“Nëse punojmë fort me studentët atëherë edhe UKZ na ofron mundësitë edhe më të mira por mendoj se ka shumë vend për modifikime të reja në programet studimore”, ka thënë Asllani.

Nga Universiteti “Kadri Zeka” kanë thënë se janë duke punuar në zgjerimin e institucionit duke shikuar edhe mundësinë e përgatitjes së programeve mjekësore.

“UKZ është mjaft i përshtatshëm për studime të mjekësisë sidomos fizioterapisë, duke e ditur se në rajonin e Anamoravës janë disa banja termike që kanë nevojë për ofrimin e shërbimit mjekësor fizioterapeutik”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Këtë vit ka disa ndryshime në programet e akredituara në këtë universitet. Për herë të parë Universiteti “Kadri Zeka” ka sjellë katër programe të reja të nivelit master, të akredituara për periudhën 3-vjeçare.

Në Fakultetin e Edukimit janë akredituar: programi Mësimdhënie në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (MA) dhe programi Mësimdhënie dhe kurrikula në Arsimin Fillor (MA).

Në Fakultetin Juridik është akredituar programi Juridik Penal (LLM) ndërsa në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike është akredituar programi Sistemet e Kontrollit dhe Inteligjenca Artificiale.

Ndërsa për periudhën 3-vjeçare janë riakredituar programi Fillor (BA) dhe Parashkollor (BA) në Fakultetin e Edukimit; në Fakultetin Ekonomik janë akredituar programi Financa, Kontabilitet i Aplikuar (BA) dhe në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike është riakredituar programi E-qeverisja (MA).

Duke parë dinamikën e madhe të zhvillimit të UKZ-së, menaxhmenti i universitetit ka hapur gjatë vitit 2020 procesin e diskutimit dhe rishikimit të Strategjisë Zhvillimore dhe Planit të Veprimit 2017-2022.

Interesimi më i madh i maturantëve për t’u regjistruar në UKZ është në Fakultetin e Edukimit dhe Shkencave Kompjuterike.

Disa të rinjve iu imponohet që të studiojnë në drejtime që janë dëshirë e familjes.

Eurela Bajra tashmë nxënëse e gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan, fillimisht u regjistrua në mjekësi pasi ajo me familje do të migronin pas disa vitesh dhe menduan se mjekësia do të ishte një zgjidhje e mirë për të në të ardhmen në Gjermani. Por nuk ishte mjekësia dëshira dhe synimi i Eurelës kështu që ajo ndërroi shkollën dhe ndoqi atë që e pëlqente.

Trendet e studimeve nga të rinjtë

Njohësi i arsimit dhe njëkohësisht drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, ka treguar se trendi është për profile të shkurta, jo universitare, që i pajisin me shkathtësi dhe aftësi të mjaftueshme për futjen sa më të shpejtë në tregun e punës.

“Jam i bindur se me kalimin e kohës të rinjtë do të vetëdijesohen që pajisja me diploma universitare nuk është gjithmonë e nevojshme për një vend pune”, ka thënë Qehaja.

Ai ka sugjeruar që të rinjtë duhet të kuptojnë se çfarë dëshirojnë të studiojnë dhe nëse dëshira e tyre mund të ketë përfitim në karrierë për ta.

“Vetëdijesimi i duhur i tyre është përgjegjësi e institucioneve qeveritare”, ka shtuar Qehaja.

Më tej ai ka thënë se maturantët përzgjedhjen për karrierë e kanë shumë surreale, të ndikuar nga informatat e pasakta për profile që pastaj kanë për produkt diplomimin në profesione të panevojshme.

Sipas Qehajës, shumë shpejtë do të jetë vetë tregu që do të ftojë për studentë me shkathtësi, jo për studentë të diplomuar universitar.

Autorja Isra Bunjaku është nxënëse e klasës XI/1 në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.