Foto: ZKM

Kurti: Liria e Kosovës, ëndrra e përjetshme Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Në 40- vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, organizoi akademi përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

“Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe puna e përditshme e tyre. E përditshmja e përjetshme që e thur historinë. Si legalë ashtu edhe ilegalë, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë, Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, nuk e ndalën veprimtarinë kombëtare e shoqërore për bashkim organizatash, për çlirim vendi, për liri populli, për drejtësi e mirëqenie e përparim të të gjithëve”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

“Kudo dhe çdoherë kritikuan e kundërshtuan diskriminimin e shfrytëzimin, mobilizuan qytetarët dhe bashkatdhetarët, për përpjekje të përbashkëta për punë e angazhim e organizim për liri”, shtoi ai.

Duke folur për veprimtarinë e tyre, kryeministri theksoi se Jusufi, Kadriu e Bardhoshi i aktivizonin dhe i bashkonin punëtorët, studentët, artistët, burrat e gratë, të rinjtë e të moshuarit, sepse ata besonin në popull, besonin në popullin e tyre nga i cili vinin për të mos u shkëputur kurrë prej tij.

Në këtë akademi, të organizuar në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, foli  edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu si dhe familjarët e tre veprimtarëve.

Ndërsa kantautori Shpat Deda dhe kuarteti i harqeve të udhëhequr dhe aranzhuar nga Visar Kuçi, interpretuan këngët e Jusuf Gërvallës: “Kënga e Bilbilit” dhe “Do të kthehem nënë”.