Krerët e institucioneve përkujtojnë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën në 42-vjetorin e vrasjes
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla sot kanë përkujtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, duke bërë homazhe dhe duke vendosur lule pranë varreve të tyre në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.
Krerët e institucioneve të Kosovës, vrasjen e quajtën goditje të popullit shqiptar dhe pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani, tha se sot u bënë bashkë për të përkujtuar trimërinë, guximin dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.
“17 janari është ditë e humbjeve të mëdha për popullin shqiptar, për Kosovën në veçanti. Në këtë datë 42- vite më parë janë vrarë në Gjermani Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke i dhënë kështu një goditje të madhe sakrificës së popullit tonë për liri por njëkohësisht duke e rizgjuar ndjenjën e atdhetarizmit dhe sakrificës së miliona shqiptarëve gjithandej, të cilët me vite më radhë kontribuuan për lirinë e Kosovës”- u shpreh Osmani.
Kurse kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, kishin synim lirinë e Kosovës, teksa i quajti pararendës të UÇK-së.
“Ata kishin dy qëllime madhore të cilat kanë peshë dhe rëndësi për historinë e Kosovës: e para ata u përpoqën të gjitha organizatat ilegale të cilat kishin synim lirinë e Kosovës dhe e dyta ishte që kjo liri të vinte përmes çlirimit dhe këto qëllime kanë vazhduar përgjatë gjithë kohës dhe unë padyshim do t’i quaja si pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse ata kanë peshë të rëndë për lirinë e Kosovës”, u shpreh Konjufca.
Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë në një atentat më 17 janar 1982 në Untergrupenbach në Gjermani.
Pavarësisht se nuk pati të dënuar për atentatin ndaj veprimtarëve Gërvalla dhe Zekës, dyshime për vrasjen u hodhën mbi shërbimin sekret të ish-Jugosllavisë, UDB.