Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tosuni: Përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë, synim im kryesor

Gëzim Tosuni, profesor në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” , i cili është kandidat për anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ka bërë të ditur se një prej synimeve për të qenë në këtë bord është përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë.

“Është e rëndësishme që ne të kontribuojmë në arsimin e lartë në përmirësimin e cilësisë të mësimdhënëies dhe mësimnxënies në këtë sistem”, tha Tosuni në emisionin “Kallxo Përnime”.

Tosuni,  i cili studimet i ka përfunduar në Universitetin Staffordshire  në Angli, tha se praktikat e sistemit arsimor anglez dëshiron t’i zbatojë në Kosovë.

“Unë mendoj që ne kemi pasur fatin me studiu jashtë, kemi fitu përvoja që dëshmojnë që nashta më të mira se tona sepse ka pasur  sisteme më të avancura se na dhe sadopak nëse mundohemi t’i aplikojmë ato mënyra, në kontekst tonë të sistemin arsimor, mendoj se duhet me u mundu dhe mu angazhu”, tha ai.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë është organ politikëbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.