Osmani: Duam që pritjet e qytetarëve t’i bëjmë realitet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se duan që pritjet e qytetarëve nga institucionet e reja të vendit, t’i bëjnë realitet.

Këtë deklaratë ajo e ka dhënë gjatë një takimi me ambasadorin e Zyrës Diplomatike të Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Jean-Louis Servais.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, Osmani dhe Louis Servai kanë diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm të Kosovës me shtetin belg, si dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të Mbretërisë së Belgjikës.

“Dështimi nuk është opsion. Ne duam që pritjet e qytetarëve t’i bëjmë realitet”, ka thënë kryeparlamentarja Osmani.

Ndërkaq, ambasadori Servais citohet të ketë thënë se respektimi i procedurave demokratike gjatë procesit zgjedhor dhe pas tij, si dhe kultura e treguar, tregojnë pjekuri politike.

Sipas ambasadorit, zgjedhja e Vjosa Osmanit në krye të legjislativit të Kosovës është mesazh pozitiv, të cilin Kosova ia ka dërguar botës demokratike.

Ai ka shtuar, se Belgjika do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën edhe në të ardhmen në të gjitha dimensionet.

“Palët u pajtuan që ta thellojnë edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve të të dyja vendeve”, njofton Kuvendi.

Vjosa Osmani është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës me 3 shkurt 2020. Po të njëjtën ditë, në një seancë tjetër është formuar edhe qeveria e re e vendit me kryeministër Albin Kurtin.

Foto: Kuvendi i Kosovës