Opozita mbledh nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për shtrenjtimin e rrymës

Tri partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë mbledhur 40 nënshkrime për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme, debat parlamentar për vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e rrymës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“I kemi mbledhur 40 nënshkrime dhe e kemi dorëzuar kërkesën në emër të tri partive opozitare. Seanca kemi kërkuar të mbahet sot në ora 10:50”, tha Tahiri.

Tahiri ka publikuar edhe kërkesën për seancë që i është dorëzuar Kryesisë së Kuvendit.

Në rend të ditës të kësaj seancë është vetëm një pikë, debat parlamentar lidhur me vendimin e ZRrE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Kërkesa e partive opozitare për seancë të jashtëzakonshme. Foto: Besnik Tahiri, Facebook.

Deputetët e partive opozitare, PDK dhe LDK në seancën e djeshme kanë lëshuar sallën pasi nuk ka pasur kuorum për ta futur në rend dite si mocion procedural për debat parlamentar, vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Kuvendi për sot në ora 11:00 ka paralajmëruar mbajtjen e seancës plenare.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.