Besnik Tahiri nga AAK, seanca e Kuvendi 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Opozita kritikon Qeverinë për gjetjet e raportit të Progresit për Kosovën

Kuvendi i Kosovës me kërkesë të Komisionit për Integrime Evropiane po mban debat parlamentar lidhur me Raportin e Progresit për vendin për vitin 2021.

Deputetja e LDK, Rrezarta Krasniqi kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane ka arsyetuar kërkesën për debat parlamentar dhe ka thënë se bazuar në gjetjet nga ana e Komisionit Evropian nga ana e institucioneve, duhet punë për të përmbushur rekomandimet.

“Sa i përket të gjeturave të këtij raporti për vendin për vitin 2021 gjatë kësaj periudhe janë përdorur shkallët e më poshtme që janë: Nuk kemi kthim prapa në asnjë fushë, nuk ka progres është potencuar 27 herë, progres i limituar 35 herë, pak progres 55 herë, progres u mirë 2 herë dhe shumë i mirë zero herë”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani tha se në këtë raport nuk përfshihet gjithë periudha e qeverisë Kurti, ku edhe pse periudha e shkurt kohore dukshëm është evidentuar progres në disa fusha.

“Raporti për vendin vlerëson vendosmërinë dhe prioritizimin e luftimit të korrupsionit nga qeveria Kurti. Kjo arritje u vlerësua shumë nga ambasador e diplomatë të huaj por u tentua të minimizohet roli i saj nga disa analistë e politikanë të opozitës duke e quajtur atë thjeshte si përshtypje e qytetarëve e jo si arritje të vërtetë”, tha Ujkani.

Ndërsa nga PDK-ja, deputetja Eliza Hoxha tha se raporti flet për “akuzat” e presidentes Osmani ndaj ish- kryetares së KQZ-së, Valdete Daka dhe sipas saj kjo nuk ka ndodhur më parë.

Hoxha tha se deri sot nuk ka ndodhur të emërohet nga kjo qeveri menaxhment që nuk është i lidhur politikisht me qeverinë.

“I kanë mbush bordet me militant. Rasti i fundit është bordi i ZRrE-së. Në raport përmendet mungesa e vullnetit të qeverisë për ta rritur transparencën. Ka mbërri borxhi më i madh publik ndonjë herë me 21 për qind të GjDP por efektet nuk po shihen në kurrfarë investimi të qëndrueshëm. Papunësia mbetet e lartë me rreth 25 për qind të fuqisë punëtore të pa punë. Të gjithë i kemi të njohura pamjet nëpër ambasada për të marr vizë e për tu largu për punë dhe kushte më të mira për jetesë. Frikësohem se raporti tjetër që do të vjen për këtë vit nuk do të jetë më bardhë e zi po veç zi e më zi”, ka thënë Hoxha.

Deputeti nga AAK-ja, Besnik Tahiri tha se Qeveria Kurti nuk e ka prioritet integrimin evropian.

“Agjenda e integrimit evropian e kësaj qeverie është në qorr sokak. Kemi një qeveri e cila nuk e ka prioritet integrimin evropian, nuk e ka e ka prioritet ecjen përpara në këtë fushë, në raport edhe me çka është theksua në raportin për vendin por edhe me veprimet që kanë ndodh. Nuk kemi asnjë përkushtim të ministrave, të zëvendëskryeministrit, të kryeministrit që kanë bërë diçka për liberalizmin të vizave. Nuk kemi një letër zyrtare të qeverisë Kurti që e prezanton që ka kërkua liberalizim të vizave, që kanë lobuar, vepruar në këtë temë”, shtoi Tahiri.

KALLXO.com ka raportuar për gjetjet kryesore të Raportit të Progresit 2021 për Kosovën.

Gjetjet kryesore të Raportit të Progresit 2021 për Kosovën