Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për tarifën 100%

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesër (e premte).

Sipas një njoftimi të Kuvendit, mbledhja e Kryesisë do të nis në orën 14:00 dhe pikë e rendit të ditës është kërkesa e 41 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme.

KALLXO.com merr vesh se 41 deputetë nënshkrues të opozitës, PDK, AAK , Nisma Socialdemokrate dhe deputetë të komuniteteve jo shumicë(jo serbe) kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për datën 2 mars në ora 11:00.

Sipas burimeve brenda partive opozitare, tema e kësaj seance pritet të jetë paralajmërimi i kryeministrit, Albin Kurti për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, të vendosur nga Qeveria e kaluar.

Tarifa ndaj mallrave serbe dhe boshnjake është vendosur në vitin 2018 nga qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Beogradi e ka pezulluar pjesëmarrjen në dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke kërkuar shfuqizimin e tarifës.

Kurse, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se do ta largojë tarifën dhe do të vendos reciprocitet.