Opozita insiston që të vazhdohet me seancën e jashtëzakonshme për policinë

Partitë opozitare PDK, LDK, dhe AAK kanë insistuar që të mbahet seanca e jashtëzakonshme për Policinë e Kosovës, pasi Kuvendi nisi punën për seancën e planifikuar për orën 14:00, me pika të papërfunduara.

Mirëpo, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se do të vazhdojnë punimet e seancës ashtu siç është planifikuar.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se kryetari i Kuvendit duhet të japë verdikt për mbylljen ose vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme.

“Paraprakisht ishte një kërkesë nga opozita për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për mbështetjen urgjente të Policisë së Kosovës. Ju si kryetar i Kuvendit edhe në prani të shumicës parlamentare që ka ardhë tash, duhet ta jepni një verdikt, për mbylljen ose vazhdimin e asaj seancë të jashtëzakonshme”- tha Zemaj.

“Ju thërras që ta respektoni rregulloren e Kuvendit dhe njëherë të marrë përfundimin ajo seancë e atëherë të vazhdojmë me seancën e thirrur si vazhdim nga pikat e mbetura”- theksoi ai.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se asnjë seancë tjetër nuk është më me prioritet se sa siguria e vendit teksa ka përsëritur kërkesën e deputetit Zemaj, që të procedojnë dhe votojnë rezolutën e cila kërkon të mbështeten kërkesat e Policisë së Kosovës.

“Asnjë seancë tjetër nuk është më me prioritet se sa siguria e vendit, prandaj meqë ju e konstatuat që ky Kuvend tashmë e ka kuorumin e mjaftueshëm për të marrë vendime, unë kërkoj që të kthehet seanca e jashtëzakonshme dhe të procedojmë që ta votojmë rezolutën e cila kërkon të mbështeten kërkesat e Policisë së Kosovës”- tha Musliu.

Deputetja u shpreh se qytetarët presin që Kuvendi ti miratojë kërkesat e Policisë dhe se çdo temë tjetër që trajtohet sipas Musliut, është e pavlerë dhe irrelevante.

“A duhet të presim të na vdes edhe një polic që familjeve të tyre të ja jepim 50 mijë euro, siç ndodhi edhe me Afrim Bujakun. T’i respektojmë e nderojmë ata policë sa janë gjallë, për punën që e bëjnë mos ua humbni moralin Policisë, mos e degradoni. Qytetarët presin që Kuvendi ti miratojë kërkesat e Policisë, familjarët e tyre janë para ekraneve, Policia pretë që ky Kuvend t’i trajtojë me dinjitet prandaj çdo temë tjetër që trajtohet është e pavlerë dhe irrelevante”- vlerësoi Musliu.

Kurse deputeti i AAK-së, Bekë Berisha tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar një skenar të destabilizimit të veriut të vendit teksa shtoi se e beson këtë, pasi siç tha ai, “rrezikshmëria është e lartë dhe ka informacione që edhe mundet me ndodhë një destabilizim”.

“Kur flasim për kushtet të cilat zhvillojnë punën Policia dhe pikërisht kur thirret seanca me folë për kushtet e tyre, mungon pozita, kryeministri, qeveria e të gjithë. Policia është e të gjithve, spo dojmë fitu vota, por me pagu rrezikshmërinë e policëve që nuk paguhet që 8 muaj, dhe është e rregulluar me ligj”- tha Berisha.

“Zoti na rujtë, sot ndodhë edhe një sulm terrorist, qysh e pamë që ndodhi, edhe në konflikte të armatosura edhe vrahen njerëzit, e  pamë që ndodhi edhe ajo. Kush e merr përgjegjësinë që nuk i ka plotësu këto kushte? Vrahet polici në antiplumb pa afat, qysh doni me e arsyetu këtë?”- u shpreh ai.

Më tej, Berisha tha se nëse plotësohen kushtet e policisë, AAK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Konjufca ka shpjeguar se ajo seancë nuk ka marrë epilog sepse nuk ka filluar, teksa shtoi se do të vazhdohet me seancën e planifikuar.

“Ia kam dhënë një epilog asaj që ishte më herët, ajo seancë nuk se si të mbyllet pasi nuk ka fillu fare. Idea e propozuesit ka qenë që kësaj të ja jepim një epilog të hënën dhe ashtu do të ndodhë. Vazhdojmë me këtë që e kemi caktu tash”- deklaroi Konjufca.

Seaanca e jashtëzakonshme dështoi në mungesë kuorumi, pasi grupi parlamentar i Vetëvendosjes para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, në një konferencë për media kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancë.

Sipas  LVV-së, që nga java e kaluar PDK-ja ka tentuar të ndryshojë rendin e ditës në seancë, që ka të bëjë me rezolutën për Policinë e Kosovës.

“Ne e vlerësojmë që tendenca e PDK-së që nuk votojnë asgjë nuk ka të bejë me gjendjen e Policisë, por vetëm me arsyetimin se kinse qeveria nuk është e angazhuar sa duhet. Po qëndrojmë në miliona marrëveshje nderkombetare të pa votuara”- tha shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Dështon seanca e jashtëzakonshme në Kuvend për rezolutën e propozuar nga PDK për Policinë