Opinion nga Washington Post: Masakra duhet të ndalet, është koha për një armëpushim në Gaza

“Ujë? bukë?” – Këto ishin pyetjet në buzët e çdo fëmije që takova në Gaza javën e kaluar teksa vizitova një nga strehimoret e UNRWA, Agjenci e OKB, në Rafah. Unë isha zyrtari i parë i lartë i OKB-së që hyri në Gaza që nga 7 tetori, ditën kur militantët e Hamasit vranë më shumë se 1400 civilë izraelitë. Në mbi 30 vjet punë në zonat e konfliktit, takimi im me këta fëmijë të dëshpëruar ishte një nga më të trishtët e karrierës sime.

Nuk do t’i harroj asnjëherë fytyrat e fëmijëve. Ndërkohë që dëgjoja historitë e tyre, më duhej të kujtoja veten se ishim brenda një shkolle që ishte shndërruar në një strehë – një vend që në kohë paqeje është një vend për të mësuar, për të qeshur dhe për të luajtur. Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se më shumë se 4000 nga civilët e vrarë në këtë luftë kanë qenë fëmijë. Ky numër njëmujor është më i lartë se numri i fëmijëve të vrarë në të gjitha konfliktet në mbarë botën në çdo vit të caktuar që nga viti 2019.

Jashtë strehës, bota po bëhet shumë e errët për palestinezët në Gaza. Për shkak të rrethimit të vazhdueshëm, ka mungesë të ushqimit, ujit, ilaçeve apo karburantit. Tregjet janë pothuajse bosh. Rrjedha e ndihmave që mbërrin me kamion përmes vendkalimit kufitar në Rafah është shumë më pak se sa nevojitet. Shërbimet bashkiake po kolapsojnë. Ujërat e zeza po i vërshojnë rrugët. Njerëzit presin në radhë me orë të tëra përballë furrave të bukës. Së shpejti do të vijë dimri dhe shumë prej banorëve të atjeshëm mund të përballen me urinë.

Me qytetin e Gazës të rrethuar, Forcat Mbrojtëse të Izraelit po i udhëzojnë ata civilë që kanë mbetur ende të zhvendosen në pjesët jugore të Rripit të Gazës. Megjithatë, as atje nuk janë të sigurt. Më shumë se 700,000 njerëz tani jetojnë në rreth 150 ndërtesa UNRWA, në të gjithë Rripin e Gazës. Teksa po shkruaj, gati 50 nga këto ndërtesa kanë pësuar dëmtime dhe disa janë goditur drejtpërdrejt. Nëntëdhjetë e nëntë kolegë të UNRWA-s janë vrarë deri më tani.

Për shumë palestinezë, ky eksod është evokim i zhvendosjes origjinale të më shumë se 700,000 njerëzve nga qytetet dhe fshatrat e tyre në vitin 1948, i njohur gjithashtu si Nakba (“katastrofë” në arabisht). Banorët e atjeshëm lexuan tekstin e një letre të bardhë të qeverisë izraelite që i sugjeron të dëbohen në Sinai. Frika e tyre shtohet kur dëgjojnë politikanë izraelitë dhe të tjerë që u referohen njerëzve në Gaza si “kafshë njerëzore” dhe “terroristë”, ose bëjnë thirrje për “fshirjen e Gazës dhe popullit të saj” – një gjuhë çnjerëzore që nuk mendoja se do ta dëgjoja në shekullin e 21.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte të drejtë kur i paralajmëroi izraelitët këtë javë, duke këmbëngulur se “nuk do të ketë “zhvendosje të dhunshme të palestinezëve nga Gaza. Jo tani, jo pas luftës”. Blinken duhet të vazhdojë edhe më dhe të bëjë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm. Rrethimi i Gazës duhet të përfundojë dhe ndihma e vazhdueshme humanitare duhet të lejohet të rrjedhë në Rripin e Gazës pa kufizime.

Kjo duhet të bëhet në emër të të drejtave themelore të njeriut. Por duhet bërë edhe për ta shmangur një fatkeqësi edhe më të madhe. Ndëshkimi kolektiv që po zbatohet ndaj civilëve në Gaza po shtrihet në Bregun Perëndimor, ku njerëzit janë detyruar të largohen nga toka e tyre për asnjë arsye tjetër përveç se ata janë palestinezë. Një gjë e tillë e rrezikon zgjerimin e luftës dhe vënien në flakë të gjithë Lindjes së Mesme.

Kursi aktual i zgjedhur nga autoritetet izraelite nuk do ta sjellë paqen dhe stabilitetin që duan dhe që meritojnë si izraelitët ashtu edhe palestinezët. Rrafshimi i lagjeve të tëra me tokë nuk është një përgjigje për krimet skandaloze të kryera nga Hamasi. Përkundrazi, këto veprime nga ana e autoriteteve izraelite vetëm se po e krijojnë një brez të ri të palestinezëve të pakënaqur që ka gjasa të vazhdojnë ciklin e dhunës. Masakra thjesht duhet të ndalet./Washington Post

Përgatiti: Nuhi Shala