Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Operacioni ‘Perimetri’, goditet grupi i strukturuar kriminal, arrestohen 4 persona në Korçë

Në kuadër të operacionit policore ‘Perimetri’, policia e Korçës ka vënë nën pranga 4 persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

Këta pesë persona funksionin si një grup i strukturuar kriminal që ushtronin veprimtarinë e paligjshme të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, kundrejt përfitimit.

Të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim janë shtetasit:

– A. B., 36 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq,

– B. B., 47 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq,

– L. S., 47 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll,

– A. Z., 51 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll dhe u shpall në kërkim shtetasi:

– E. Z., 24 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Devoll, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, pas një hetimi 6-mujor, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri” kanë goditur një grup të strukturuar kriminal që ushtronte veprimtarinë e paligjshme të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve në kërkim”, njofton policia.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 02.12.2021, ka caktuar për këta shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu sqarojmë se në kuadër të këtij grupi të strukturuar kriminal, janë arrestuar më parë nga Policia, në kohë të ndryshme, edhe 3 bashkëpunëtorë të tjerë të shtetasve të lartpërmendur, konkretisht shtetasit A. Gj. dhe L. S., banues në Elbasan, si edhe shtetasi I. D., banues në Korçë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme./ Top Channel