Objekti i Shtëpisë së Kulturës në Lipjan, Foto: KALLXO.com
Objekti që s’i ngjason Shtëpisë së Kulturës në Lipjan – VIDEO
Në rrugën “Komandant Kumanova”, në hyrje të qytetit të Lipjanit, ndodhet objekti i njohur si Shtëpia e Kulturës.
Por në fakt kjo hapësirë nuk ngjason në një të tillë, pasi objekti i Shtëpisë së Kulturës “Tahir Sinani”, në Lipjan, është i vjetërsuar e dëmtuar edhe me shkrime në mure.
Objektit i janë dëmtuar edhe dritaret.
Mëngjesin e së martës, KALLXO.com provoi të hyjë në objekt, por dera e tij ishte e mbyllur.
Të rinjtë e Lipjanit e frekuentojnë këtë hapësirë, por jo për të parë ndonjë aktivitet. Edhe pse në objekt ishte paraparë të kishte edhe kinema funksionale, KALLXO.com mëson se e njëjta tash e 2 vite është mbyllur.
Opozita në Lipjan e vlerëson të nevojshme intervenimin në objekt.
Asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Lipjan, thotë se kjo e dëmton imazhin e qytetit.
“Po, e dëmton shumë (gjendja e Shtëpisë së Kulturës), se na i kemi 62 fshatra, tash paramendo 62 fshatra qyteti i Lipjanit mos me pas një Shtëpi të Kulturës me standarde që i plotëson kushtet për me pas një teatër, e gjëra tjera është mëse e nevojshme”- tha ai për KALLXO.com.
Në anën tjetër, kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti, në një video të realizuar më 28 shtator të vitit 2021 iu ishte drejtuar qytetarëve të Lipjanit duke ju prezantuar një projekt modern për ndërtimin e objektit të ri të Shtëpisë së Kulturës.
Në këtë video, Ahmeti kishte thënë, “Shtëpia aktuale e Kulturës në Lipjan nuk përmbushë kushtet dhe kriteret e nevojshme për aktivitetet kulturore dhe rinore, për më tepër është objekt i vjetëruar dhe i karakterit administrativ”.
Por në të ende nuk është bërë ndonjë ndërhyrje.
Ndërsa në përgjigjen e Drejtorisë së Kulturës në Lipjan, udhëheqësja e kësaj drejtorie, Anila Reqiça – Llugiqi, ka thënë për KALLXO.com se ky objekt është ndërtuar rreth viteve të ‘50-ta dhe se sipas saj, dëmtimet nuk konsiderohen që janë aq të mëdha sa që të pamundësojnë aktivitetin e saj.
“Jemi në dijeni me gjendjen e saj, pasi është objekt që menaxhohet nga DKRS. Shtëpia e Kulturës ka funksionuar dhe vazhdon të funksionoj edhe tani. Dikur për shoqëritë artistike, bibliotekën e qytetit, arkivën komunale, teatrin dhe kinemanë”, është përgjigjur Llugiqi.
Llugiqi ka njoftuar po ashtu se zhvendosja e Bibliotekës së qytetit dhe Arkivës komunale ka liruar hapësirat për veprim dhe akomodim të OJQ-ve lokale, si Qendra Rinore e Lipjanit – LYC dhe të tjera që nuk i ka përmendur.
Më tej, Llugiqi duke treguar për kinemanë e qytetit, thotë se ky objekt është i hapur në rast të aktiviteteve nga vet kjo drejtori, apo aktivitete tjera si festivalet, teatrot, programet e shkollave, galeritë e arteve, ekspozitat dhe të tjera.
“Kinemaja e qytetit është aktivizuar për plotë 5 vite radhazi dhe vlerësojmë që vazhdimin e aktiviteteve të tilla ta bëjmë në objektin e ri të Qendrës Kulturore i cili pritet shumë shpejtë të ndërtohet”, duke mos dhënë një datë të saktë se kur pritet të ndërtohet kjo Qendër Kulturore.
Ajo është përgjigjur edhe për shërbimet rreth mirëmbajtjes, sigurimit dhe mbrojtjes së këtij objekti, për të cilat ka thënë se nuk ka mirëmbajtje ditore, por sipas nevojës dhe aktiviteteve kanë përkujdesje.
Ndërsa, për sigurimin fizik ka thënë se “sigurim fizik ka objekti me kompaninë që ofron sigurinë e objekteve nën menaxhimin e komunës së Lipjanit.
Dhe për ndërtimin e objektit të ri, ka bërë të ditur se është në fazën e projektimit, “kështu që do të fillojë së shpejti me implementimin e tij, duke qenë i buxhetuar për këtë vit dhe vitin e ardhshëm.”