Seanca e Kuvendit më 11 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Nuk miratohet propozimi i PDK-së që të hiqet nga rendi i ditës zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Me 19 vota për dhe 53 vota  kundër e asnjë abstenim nuk ka kaluar propozimi i deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, që të hiqet nga rendi i ditës së sotme të Kuvendit, zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi,

Paraprakisht, Reçica tha se procesi në fjalë është përcjell me shumë probleme e shkelje.

“Kisha kërkuar nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i Listës Serbe që ta tërheqin këtë pikë të rendit të ditës dhe të rikthehet procesi në fillim. Është një çështje shume me peshë dhe e cila ka shkaktuar shumë reagime. Kemi pas edhe një reagim të vazhdueshëm të shoqërisë civile. Do të kish qenë e nevojshme të kthehet në pikën e nisjes”, tha ai .

Kurse, ushtruesja e detyrës së shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka thënë që argumentet e deputetit të PDK-së nuk qëndrojnë.

“E kemi pasur një proces i cili ka shkuar në rrugën se si ishte paraparë. Sa i përket pjesëmarrjes së Ambasadës Britanike janë kontaktuar në kuadër të procesit dhe kanë thënë që për arsye që s’kanë qenë pjesë prej fillimit, nuk mund të kyçen në proces në gjysmë. Thirrja për tërheqje është thirrje për të vazhduar me proces të votimit. Propozoj që të procedohet dhe të vendos seanca plenare”, tha ajo.

Kurse, shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi e përkrahi propozimin e PDK-së.

“Ky veprim i ngutur i kësaj shumice qeverisë për mua është i pakuptueshëm, i paarsyeshëm. Ka qenë pikërisht LVV-ja që ka insistuar të ndryshohet ligji dhe të mos shpallet konkursi me këtë ligj. Të njëjtit njerëz insistojnë që të zgjedhjet me ligjin e vjetër komisioneri për privatësi dhe informim. Çka ka ndryshuar, fakti që po doni një njeri të juajin me e dërgu, apo si është puna”, tha Gashi.

Gashi shtoi se propozimi që të hiqet prej rendit ditës, është i arsyeshëm dhe duhet të përkrahet.

Kurse deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha tha se konkursi është kompromentuar.

“Nuk do të përfaqësoj qytetarët dhe as partitë politike. Është e drejtë të hiqet nga rendi i ditës dhe të mbahet konkursi për së dyti”, tha deputeti.

KALLXO.com sot ka raportuar se Enver Bujari ka arritur të marrë më së shumti pikë në një proces jo-transparent të poentimit në në garën për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Bujari që dy herë ishte vlerësuar nga ekspertët britanikë të BDO-së se nuk është i emërueshëm, pra nuk i plotëson kushtet për emërim në këtë pozitë, ka arritur të marrë 69 pikë nga 70 të mundshmet.

Kandidati i pa-emërueshëm sipas britanikëve, merr pikët maksimale përmes poentimit jo-transparent