Kandidati i pa-emërueshëm sipas britanikëve, merr pikët maksimale përmes poentimit jo-transparent

Enver Bujari ka arritur të marrë më së shumti pikë në një proces jo-transparent të poentimit në garën për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Bujari që dy herë ishte vlerësuar nga ekspertët britanikë të BDO-së se nuk është i emërueshëm, pra nuk i plotëson kushtet për emërim në këtë pozitë, ka arritur të marrë 69 pikë nga 70 të mundshmet.

Ai është vlerësuar me pikë maksimale nga komisioni vlerësues prej shtatë anëtarësh, pesë prej të cilëve deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky konkurs është hapur dhe zhvilluar nga Komisioni Parlamentar për Çështje të Sigurisë, mirëpo në procesin e intervistimit kishin mbetur vetëm shtatë anëtarë pasi opozita, përfaqësuesit e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së ishin tërhequr nga komisioni vlerësues.

Bujari e ka lënë mbrapa kandidaten Krenare Sogojeva Dërmaku e cila dy herë ishte vlerësuar si kandidatja më e mirë nga ekspertët britanikë të BDO-së. Krenare Sogojeva Dërmaku dy herë nuk kishte arritur të marrë votat e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Dështimi i Kuvendit për të votuar kandidatët e rekomanduar nga ekspertët britanikë kishte bërë që Ambasada Britanike të tërhiqet nga konkursit i katërt për këtë pozitë. Kandidati i tretë që është dërguar në Kuvend është Edon Myftari. Cilido prej kandidatëve që arrin të marrë 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të udhëheq me Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Tërheqja e Opozitës

Aplikacionet e kandidatëve për komisoner ishin shqyrtuar fillimisht nga të gjithë anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, mirëpo më pas Komisioni   nuk kishte arritur në konsensus sa i përket formimit të panelit intervistues për procesin e rekrutimit për këtë pozitë.

Deputetët e Vetëvendosjes që janë pjesë e Komisionit Parlamentar kanë kërkuar që të gjithë anëtarët e këtij Komisioni të përfshihen në panelin vlerësues. Kjo kërkesë ishte kundërshtuar nga deputetët e partive opozitare, të cilët kanë kërkuar që të shkohet me nga një përfaqësues nga secila parti. Kjo ishte refuzuar nga deputetët e Vetëvendosjes e më pas opozita e përbërë nga deputetët nga radhët e partive: LDK, PDK dhe AAK e kanë bojkotuar pjesëmarrjen në panelin vlerësues për këtë proces të rekrutimit.

Anëtarët e Komisionit nga radhët e partive në pozitë – Lëvizja Vetëvendosje, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK) dhe Lista Serbe, kanë vazhduar më tej me procesin e intervistimit të kandidatëve.

 

Përkundër reagimeve e kërkesës së opozitës dhe të disa organizatave të shoqërisë civile që ky proces të kthehet prapa, të njëjtit nuk janë zmbrapsur por raportin me emrat e kandidatëve të rekomanduar për t’u përzgjedhur si Komisioner i Agjencisë për Informim dhe Privatësi e kanë miratuar dhe të njëjtin e kanë dërguar për votim në Kuvend. Ky raport është pikë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës që është duke u mbajtur sot.

Enver Bujari, Krenare Sogojeva Dërmaku dhe Edon Myftari janë emrat e kandidatëve të cilët janë dërguar për votim në Kuvend dhe në seancën e radhës të Kuvendit, nëse ndonjëri prej tyre pas votimit merr 61 vota të deputetëve, atëherë i njëjti do të udhëheq me Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Konkursi jo-transparent 

Organizata BIRN e ka monitoruar që nga fillimi procesin e rekrutimit të Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Ky është konkursi i katërt për këtë pozitë dhe kësaj here procesi është zhvilluar pa asistencën e ekspertëve britanikë.

Komisioni Vlerësues nuk e ka ndjekur praktikën e mëhershme të zhvillimit të procesit, që kishte qenë model i sjellë nga ekspertët britanikë.

Monitoruesit e Organizatave të Shoqërisë Civile nuk kanë qenë të ftuar në takimin përgatitor të Panelit Vlerësues të datës 7 qershor 2021, gjatë përpilimit të pyetjeve të cilat do t’i parashtroheshin kandidatëve.

 

Monitoruesve qasja në takim u është mundësuar vetëm pas përfundimit të përpilimit të pyetjeve nga Paneli Vlerësues dhe vetëm në momentin e fillimit të intervistimit të kandidatëve. Poentimi i kandidatëve, njëra prej pjesëve kryesore të një procesi të rekrutimit, nuk ka qenë transparent. Secili anëtarë i Komisionit ka pasur para vetës një formular për vlerësimin e kandidatëve, formular ky i cili ka qenë anonim dhe nuk ka pasur emër e as mbiemër dhe nuk ka qenë e mundur të kuptohet se cili anëtarë i Komisionit sa e vlerësoi secilin kandidatë.

Në konkurset e kaluara që janë asistuar nga ekspertët britanikë, pikët e secilit anëtarë të Komisionit janë bërë publike e po ashtu të njëjtat më pas janë arsyetuar dhe argumentuar. Kjo praktikë e instaluar nga ekspertët britanikë ka mundësuar që poentimi të jetë më objektivë dhe i argumentuar. Por, kësaj radhe poentimi i kandidatëve është bërë në mënyrë anonime dhe nuk është ditur se si ka qenë vlerësimi individual i secilit anëtarë të Komisionit.

Vetëm në fund të intervistimit të kandidatëve është bërë mbledhja e totalit të pikëve dhe të njëjtat janë shënuar në një tabelë të përgjithshme, duke rezultuar që një kandidatë të marrë 69 nga 70 pikë të mundshme.

Lista me emrat e të cilëve do t’i shkoj për votim Kuvendit?

Enver Bujari, kandidati me i votuar nga komisioni 7 anëtarësh prej të cilëve 5 janë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Bujari aktualisht mbanë pozitën e rreshterit në Policinë e Kosovës. Deri në vitin 2019 kishte qenë në pozitën e shefit të njësisë së antidrogës në Prizren, por që më vonë atij i ishte ndërruar pozita në Mbikëqyrës të Departamentit të Rendit.

I kontaktuar nga KALLXO.com, i pyetur lidhur me ndërrimin e pozitës, Enver Bujari tha se ndërrimi i pozitës së tij është bërë për shkak të nevojave operacionale të Policisë së Kosovës dhe nuk është degraduar në pozitë.

Bujari përpos kësaj radhe edhe dy herë të tjera kishte synuar që të udhëhiqte me Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

 

Në tentativën e dytë, në korrik të vitit 2019, Bujari kishte arritur që të renditej i fundit në listën e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, si një nga tre emrat që do t’i rekomandoheshin Kuvendit për votim.  Ai konkurs ishte zhvilluar me asistencën e ekspertëve britanikë, të cilët kishin vlerësuar se Bujari nuk është i emërueshëm, pra nuk i plotëson kriteret për këtë pozitë.

Lidhur me ndryshimin e madh nga “i pa emërueshëm” tek britanikët, në “i emërueshëm” tek vendorët, Bujari për KALLXO.com ka thënë se me përsëritjen e konkursit, ai është përgatitur më mirë prandaj tani është rënditur në krye të listës.

“Ndonjëherë njeri nuk është i përgatitur në intervistë por tash unë mundem me dal të debat televiziv sepse e di çdo nen të ligjit për mbrojtjen e të dhënave dhe qasjes në dokumente publike… tash kom pas kohë më shumë me përgatitë dhe jam i përgatitur të dal edhe publikisht para mediave”, tha për KALLXO.com, kandidati për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Enver Bujari.

Procesi e kundërshtuan përsëri organizatat e shoqërisë civile. Lëvizja FOL, aktivistja Flutura Kusari, GLPS, KDI, KCSF, Çohu/Preportr, D4D dhe Instituti GAP, kërkuan përsëritjen e konkursit për zgjedhjen e Komisionerit me qëllim të sigurimit të transparencës dhe meritokracisë gjatë zhvillimit të procesit të ri.

“Në organizatat dhe aktivistët e poshtëshënuar shprehim shqetësimin tonë të thellë me parregullsitë dhe procedurat e ndjekura në procesin e katërt të përzgjedhjes së Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi’, thuhet në reagimin e Organizatave të Shoqërisë Civile.

Në këtë reagim Organizatat e Shoqërisë Civile të lartpërmendura kanë deklaruar se procesi i verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar të kandidatëve, intervistimi dhe vlerësimi nuk ka garantuar vlerësim meritor të kandidatëve.

Gjatë analizimit të biografive të kandidatëve është vërejtur që në CV-të e dorëzuara nga kandidati Enver Bujari kishte ndryshime në datat e përvojës së punës të cilën ai e kishte ndryshuar. Ndryshime janë vërejtur edhe në datat e studimeve.

Lidhur me pretendimet për ndërrim të datave të përvojës së punës dhe edukimit, për KALLXO.com Enver Bujari ka deklaruar se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të një gabimi teknik dhe asgjë më tepër. Bujari ka thënë se një gjë të tillë është i gatshëm që në çdo kohë ta provojë me fakte.

Krenare Sogojeva Dërmaku, është kandidatja e cila është vlerësuar si e dyta në listë nga Komisioni Vlerësues. Për dallim nga Bujari, Sogojeva Dërmaku dy herë është vlerësuar nga britanikët si kandidate që i plotëson kushtet për tu emëruar në këtë pozitë.

Sogojeva Dërmaku aktualisht është drejtoreshë e departamentit ligjor në Ministrinë e Mbrojtjes.

Krenare Sogojeva Dërmaku, në konkursin e dytë të mbajtur në korrik të vitit 2019, nga BDO-ja ishte vlerësuar si kandidatja e vetme e emërueshme për pozitën e Komisionerit për Informim dhe Privatësi. Ndërsa në listën prej tre kandidatëve potencial për këtë pozitë edhe Komisioni për Siguri, Krenare Sogojeva Dërmakun e kishte vendosur në krye të kësaj liste.

Mirëpo më pastaj lista me tre emrat e rekomanduar për votim, nuk kishte arritur t’i marrë votat e mjaftueshme në kuvend dhe procesi ishte kthyer në pikën zero.

Edhe në herën e tretë të përsëritjes së konkursit, Sogojeva Dërmaku nga BDO ishte vlerësuar me pikët më të larta, ndërsa nga Komisioni për Siguri kishte qenë e dyta në rend nga kandidatët më të votuar për të kryesuar Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

 

Por që as kësaj radhe asnjë nga kandidatët e rekomanduar nuk kishte arritur t’i merrte votat e mjaftueshme në Kuvend.

Pasi që për të tretën herë kishte dështuar përzgjedhja e Komisionerit, BDO kishte vendosur të tërhiqej nga ky proces.

Kurse në herën e katërt të përsëritjes së konkursit, Krenare Sogojeva Dërmaku, përsëri ka arritur që të jetë në listën e ngushtë dhe në mesin e emrave të rekomanduar për emërim në krye të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kësaj here, Sogojeva Dërmaku është e dyta në listë, pas Enver Bujarit me vota ndërsa i treti në listë është renditur kandidati Edon Myftari.

Kandidati Edon Myftari i cili aktualisht mbanë pozitën e zyrtarit ndërlidhës të Programit të Bashkimit Evropian për Bashkëpunim Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë në kuadër të BE-së, është renditur i treti në listën e emrave të vlerësuar me pikët më të larta.

Edon Myftari më parë ka mbajtur pozitën e  këshilltarit për siguri të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafa.

Në mbledhjen e radhës të Kuvendit pritet që deputetët e Kuvendit të votojnë lidhur me emrat e propozuar për emërim në pozitën e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kujtojmë që si pasojë e mos zgjedhjes me kohë të Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Kosova mund të humb fonde të Bashkimit Evropian.