Nuk aprovohet rekomandimi që të votohen listat e partive politike në pako

Pesë anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor kanë votuar pro dhe gjashtë kundër votimit të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit në pako.

Rekomandimi i zyrës për regjistrimin e partive politike ishte që të certifikohen të gjithë kandidatët.

Ky rekomandim nuk u aprovua pasi që nuk pati vota të mjaftueshme në komision.

Më shumë se dy orë kanë kaluar nga fillimi i mbledhjes së KQZ-së në të cilët mendohej të certifikoheshin kandidatët për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Debate të shumta ka pasur mes anëtarëve të KQZ-së dhe kryetares Valdete Daka në lidhje me votimin për certifikimin e kandidatëve për deputet.

Në një rast, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani iu drejtua Drejtorit të Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të partive politike, Ylli Buleshkaj se  ky i fundit me rekomandimin që ka dhënë ka bërë atentat ndaj demokracisë.

“Ti ke bërë atentat mbi demokracinë dhe sundimin e Ligjit në Kosovë. Sot, ti z.Buleshkaj ke vendosur që të veprosh mbi simpatitë e tua. Si u bo qe brenda 24 orë e ke ndryshu interpretimin për çertifikim e listave. Cila është arsyeja që ke ndërtu qëndrim kaq shpejtë? A je kërcënuar, a je shantazhuar? A te është ofruar ryshfet? Unë besoj qe ti personalisht nuk e ke sjellë këtë rekomandim.Kjo është sulm mbi demokracinë e republikën. Mijëra njerëz kanë vdekur për demokracinë. Më këtë veprim po ia bënë shërbimin ma te mirë armiqve te Kosovës. Z.Buleshkaj, a jeni i vetëdijshëm për këtë çka e ke bo sot? “thaElshani.

Edhe Buleshkaj iu përgjigj Elshanit.

“A je ka më bënë presion me ndërru rekomandimin a? “, kërkoi sqarim Buleshkaj.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, Ylli Buleshkaj tha se është dhënë një rekomandim ndërsa u takon anëtarëve ta vendosin ose jo.

“Një gjë mundem me thanë që kjo gjuhë nuk çon peshë. Një gjuhë si e prokurorit e gjykatësit nuk çon peshë te unë. Ne si zyrë e kemi dhënë një rekomandim dhe tash është çështja e juaj.  Unë s’mundem me vendosë se kush është i pastër e i papastër. S’jam as gjykatës e as prokuror.  Nëse mendon dikush se e përdorë administratën për interesa të veta e ka gabim”, tha Buleshkaj.