NJRSH nuk e di a u përfshi në shtesat e rrezikshmërisë, Qeveria nuk jep përgjigje 

Zyrtarët e Policisë së Kosovës që i përkasin Njësisë së Reagimit të Shpejtë nuk e dinë nëse janë pjesë e shtesave që Qeveria e Kosovës ndau para katër ditëve për policët.

Kjo njësi tash e disa javë janë duke qëndruar dhe monitoruar situatën në Banjskë të Zveçanit, zonë që vlerësohet me rrezikshmërinë më të lartë në vend për shkak të ngjarjeve të fundit që ndodhën aty.

Mirëpo, policët e NJRSH-së që nga 27 tetori, ditën kur kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se kanë ndarë shtesa për policët, e kanë të pa qartë nëse do të marrin shtesa ose jo.

Për ta qartësuar këtë çështje, KALLXO.com ka tentuar që të marr përgjigje nga ana e Qeverisë së Kosovës, por që deri më tani nuk është marr ndonjë përgjigje.

Përpos kësaj, KALLXO.com ka tentuar të marr përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, e nga vet Policia e Kosovës, por as nga këto dy institucione nuk u arrit të merret ndonjë sqarim për situatën e krijuar.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Sindikatën e Policisë së Kosovës, të cilët po ashtu kanë thënë se nuk e dinë në cilën kategori është përfshirë NJRSH.

Imer Zeqiri, kryetari i sindikatës ka thënë se çdo ditë po pyeten nga policët për këtë çështje, por që nuk kanë përgjigje.

“Ne kemi telefonata çdo ditë, pyetje ku jemi na, nuk i ka speficiku nuk i ka përmend të gjitha njësitë” – ka thënë Zeqiri.

Ai tutje ka thënë se po presin që Qeveria e Kosovës të dal me një vendim pasi sipas tij ka edhe shumë njësi të tjera që nuk janë përmendur nga kryeministri Albin Kurti.

“As ata, as na nuk e dim çka kanë mendu, deri sa nuk është përmend nuk mundemi me thanë e kanë këtë shtesë. Po e qartë është se të gjitha kategoritë janë të pakënaqur” – tha Zeqiri.

Kryeministri Kurti në emër të Qeverisë së Kosovës më 27 tetor 2023 ka propozuar shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Kurti ka njoftuar se shtesat për njësitë elitare, Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt janë nga 150 euro shtesë të pagës bazë.

Tutje ai ka thënë se 120 euro do të jenë për njësitë operative K9 dhe Njësinë për eksplozivët dhe deminim.

“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat që njëherit përbejnë numrin me të madh të Policisë do të marrin ka 60 euro shtesë kurse Policëve që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve do të ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”- ka bërë të ditur Kurti.

E nga kryeministri nuk u përmend Njësia e Reagimit të Shpejtë.

Për këto shtesa të pakënaqur u ndanë Njësia Speciale Intervenuese. Ata po atë ditë paralajmëruan protestë lidhur me pakënaqësitë e tyre që lidhen me pagesat e shtesave si dhe rrezikshmërinë në vendin e punës.

Protesta u mbajt më 1 nëntor, e pjesëtarët e njësisë elitare paraqitën dy kërkesat e tyre.

Kërkesat e këtij njësiti janë që të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve; rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës; si dhe shtesat për kushte specifike të punës.

VIDEO – Pjesëtarët e FIT-it nisin protestën para Qeverisë

Pas kësaj reaguan Kurti e ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke thënë se të ardhurat mesatare të policëve që protestuan dje janë 2 mijë e 200 euro në muaj.

Kjo është paga bazë e një polici të Njësisë Speciale Intervenuese, tregojnë se në muajin e fundit punuan mbi 380 orë shtesë