Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Njësia A3 e termocentralit Kosova A çkyçet nga puna - KEK-u njofton se duhet të pastrohen izolatorët

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia A3 e Termocentralit Kosova A është çkyçur nga puna më 25.05.2025, në ora 19:25.

Çkyçja ka ardhur si pasojë e reagimit të mbrojtjeve elektrike të transformatorit T-3A.

“Gjatë kontrollit të zbarave 15.75 kV është konstatuar nevoja për pastrim të izolatorëve, të cilët janë ndotur si pasojë e tymit të grumbulluar në zbara.” – thuhet në Njoftimin e KEK-ut. Zbarat janë shufra të bakrit të cilat i lidhin trafot dhe ndërprerësit në tension të lartë.

KEK-u njoftoi tutje se sipas vlerësimit pastrimi i izolatorëve do të fillojë që nga sot dhe do të zgjasë së paku dy ditë.

“Paralelisht me pastrimin do të kryhen edhe testimet e tjera të nevojshme teknike para se Njësia A3 të rikthehet në funksion.” – thuhet tutje në Njoftimin e KEK-ut.