Një murator vdes pasi ra nga lartësia e një godine në ndërtim në Lezhë

Arjan Lazri, punonjës ndërtimi në një objekt në zonën e Kunes në Shëngjin, mbeti i vdekur pasi ra nga godina ku punonte.

Një 45-vjeçar, punonjës ndërtimi mbeti i vdekur pas një aksidenti në punë, rreth orës 8:00 të mëngjesit të së shtunës, në një objekt në ndërtim në zonën e Kunes në Shëngjin. Arjan Lazri, që u vra në aksident, ishte  banues në fshatin Kallmet të Lezhës. Policia bëri me dije se gjatë punës 45-vjeçari ka rënë nga lartësia e objektit në ndërtim, e për pasojë mori dëmtime të shumta fizike që i sollën vdekjen.

Policia njoftoi se shoqëroi në komisariat për veprime të mëtejshme proceduriale administratorin e firmës që po kryen punimet në këtë objekt, shtetasin me iniciale A. K si dhe nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu edhe Inspektorati Shtetëror i Punës pritet të nisë verifikimet, për të parë nëse janë zbatuar rregullat e sigurisë në punë.

Ky është aksidenti i katërt në pune me pasojë vdekjen që ndodh brenda pak muajsh në Qarkun e Lezhës. Në muajin janar një gomist humbi jetën në fshatin Spiten, teksa po riparonte gomën e një kamioni. Ndërsa në muajin mars një mekanik në Kurbin gjeti vdekjen, pasi automjeti që po riparonte e zuri poshtë. Po ashtu në fillim të muajit prill një person gjeti vdekjen gjatë punës në një fabrike mielli në pronësi te tij. /Reporter.al/