Xhamia e vjetër në Mamushë, pas incidentit të zjarrit, Foto: Policia e Kosovës
Një incident zjarri në xhaminë e vjetër në Mamushë, Policia po e heton rastin
Në xhaminë e vjetër në Mamushë ka pasur një incident zjarri më 07.03.2024.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Bytyqi ka njoftuar se në vend të ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet e nevojshme të Policisë dhe ato lokale, dhe si përfundim është lokalizuar zjarri.
Sipas një fotografie të dërguar nga Policia, shihet se është djegur një hapësirë brenda xhamisë.
“Me datën 07.03.2024 rreth orës 14:00 në Stacionin Policor në Mamushë është raportuar për një incident zjarri në xhaminë e vjetër në Mamushë. Në vendngjarje ka dalë patrulla dhe hetimet e stacionit, gjithashtu dhe ekipi i Forenzikës nga Suhareka dhe Inspektorët Komunal dhe ekspertët e zjarreve nga ekipi i zjarrfikësve. Zjarri është lokalizuar” – ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.
Sipas tij, nuk dihet se çka e ka shkaktuar zjarrin dhe se ka pasur vetëm dëme materiale.
“Shkaqet zjarrit për momentin nuk dihen, por dyshohet si pasojë e rrymës elektrike. Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme nateriale.” – ka shtuar ai.
Bytyqi ka thënë po ashtu se rasti është duke u hetuar.