Foto: Ilustrim

Një i vdekur dhe tre të lënduar në një aksident komunikacioni në Kamenicë

Një burrë 33-vjeçar ka vdekur dhe tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti trafiku në mes të dy automjeteve me tabela vendore që ka ndodhur në fshatin Hodonoc të Komunës së Kamenicës.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar Valon Osmani nga Policia e Kosovës.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Kamenicë me datën 24.02.2023, rreth orës 10:43 ka pranuar informacion se në fshatin Hodonoc, Komuna e Kamenicës ka ndodhur një aksident trafiku në mes të dy automjeteve me tabela vendore. Hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me ekipin mjekësor dhe njësitin e zjarrfikësve. Si pasojë e këtij aksidenti një person mashkull kosovar rreth moshës 33-vjeçar nuk ka arritur që të u mbijetoj lëndimeve dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes” – ka thënë Osmani.

“Nga ky aksident edhe tre persona tjerë kanë pësuar lëndime trupore të cilët janë duke marrë trajtim në qendrën emergjente në Gjilan. Shkaqet e aksidentit ende janë të pa njohura dhe po hetohen nga hetues policor të aksidenteve” – ka shtuar ai.