Albin Kurti në Zvicër - Foto: ZKM

Nga Zvicra Kurti fton bizneset private të investojnë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shefin e stafit, Luan Dalipi, këshilltarin politik për teknologji të informacionit, Lulëzon Jagxhiu dhe këshilltaren politike të ministrit të Mjedisit, Gearda Demiraj, në Zvicër kanë prezantuar mundësitë që Kosova ofron për investitorë dhe investime të huaja.

Në Samitin e Investitorëve në Cyrih, të organizuar nga Qeveria e Kosovës, më shumë se 60 ndërmarrës kanë pasur mundësinë të dëgjojnë se çka ofron Kosova.

“Para më shumë se 60 ndërmarrësve dhe drejtuesve të kompanive të ndryshme, në fushën e infrastrukturës, mjedisit, energjisë, prodhimit dhe teknologjisë së informacionit, Kryeministri Kurti dhe delegacioni qeveritar prezantuan mundësitë që Kosova ofron për investitorë dhe investime të huaja” – thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Sipas komunikatës, të pranishmit u njoftuan për përparimin në fushën e sundimit të ligjit dhe për stabilitetin institucional, për politika fiskale të zbatuara në vend, planet investive të Qeverisë dhe karakteristika e fuqisë punëtore në Kosovë.

“Marrë parasysh ndryshimet pozitive në dy vitet e fundit dhe kushtet e favorshme që ofrohen, Kryeministri Kurti ftoi bizneset zvicerane që të investojnë në Kosovë. Pas prezantimeve hyrëse, kryeministri Kurti së bashku me këshilltarin e tij për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu, po ashtu ishin pjesë e panelit të diskutimit në të cilin u trajtuan më detajisht specifikat dhe përparësitë e të bërit biznes në Kosovë” – thuhet në komunikatë.

Sot, kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kurti merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos