Foto: REL/Reuters

Nga sot fillon vaksinimi i pacientëve të hemodializës, nesër pacientët me sëmundje kronike

Pacientët e hemodializës nga sot do të mund të vaksinohen me vaksinën kundër COVID-19.

Për banorët e Prishtinës vaksinimi do të bëhet në sallën “1 Tetori” ndërsa për banorët e qyteteve tjera vaksinimi bëhet në njësitet e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Krahas vaksinimit të pacientëvë të hemodializës, gjatë kësaj kohe procesi i vaksinimit është i hapur edhe më tej për profesionistët shëndetësor si dhe për personat mbi moshën 80 vjeçare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

MSh gjithashtu njofton se nesër, 16.04.2021, do të fillojë vaksinimi për personat e moshës 75 – 79 vjeç me sëmundje kronike sipas listës së diagnozës të pacientëve të dëshmuar me raportin mjekësor me rastin e paraqitjes për vaksinim.

“Numri i personave që do të vaksinohen nga kategoria e të prekurve nga sëmundjet kronike brenda grup-moshës 75-79, varet nga numri i dozave të vaksinës kundër Covid-19 në dispozicion”, thuhet tutje në njoftim.

Në Kosovë vaksinimi me vaksinën kundër COVID-19 ka filluar më 29 mars 2021.

24 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca” janë dhënë donacion nga UNICEF përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Deri më tani 10 mijë qytetarë janë vaksinuar me vaksinën “AstraZeneca” në Kosovë.

Mbi 10 mijë qytetarë janë vaksinuar deri më tani me ‘AstraZeneca’