Foto: Madeleine Albright/Twitter

Nga arratisja prej nazistëve si fëmijë deri te posti i kryediplomates së Shteteve të Bashkuara

E lindur si Maria Jana Korbelova në Pragë, Çekosllovaki në vitin 1937 – Madeleine Albright njihej në familjen e saj fillimisht si Madla, pastaj Madlenka. Vetëm në vitet 1950 ajo u bë zyrtarisht, siç e përshkroi ajo, një “krejtësisht Maddy amerikane” kur mori nënshtetësinë e ShBA-së.

Diplomacia ishte gjithmonë në familjen e saj. Kur Albright lindi, babai i saj, Josef Korbel, punonte për qeverinë çeke në Beograd.

Pasi nazistët pushtuan vendin e tyre në vitin 1939, Korbel u arratis me familjen e tij në Londër dhe vazhdoi të punonte për qeverinë çeke në mërgim.

Pas luftës, ai u kthye në shtëpi për të shërbyer si ambasador dhe më vonë u bë  delegat i OKB-së për të ndihmuar në ndërmjetësimin midis Pakistanit dhe Indisë në Kashmir. Por derisa komunizmi pushtoi vendin e tij, Korbel përsëri pati frikë për sigurinë e familjes së tij. Ai aplikoi për azil politik për të, gruan e tij dhe tre fëmijët, në ShBA – ku mori një grant për të dhënë mësim për politikë në Denver, Kolorado.

‘ Tragjedia familjare’

Shumë vite më vonë, në fund të viteve 1990, Albright mësoi se sa e cenueshme kishte qenë pozita e familjes së saj në Evropë.

Gazeta Washington Post zbuloi se shumë nga të afërmit e saj, përfshirë tre gjyshërit, u vranë gjatë Holokaustit sepse ishin hebrenj. Albright, e cila u rrit si katolike, deri atëherë nuk kishte qenë në dijeni të rrethanave të vdekjes së tyre.

Në kohën kur Albright u transferua në ShBA, në moshën 11-vjeçare, ajo kishte jetuar tashmë në disa vende dhe fliste katër gjuhë. Në kujtimet e saj, ajo tregon se si po luftonte për t’u përshtatur me adoleshentët e tjerë amerikanë – e ngujuar nga prindër evropianë “të rreptë”, të cilët e konsideronin kulturën e ShBA-së të huaj dhe ishin shumë serioz kur bëhej fjalë për studimet e saj.

Pas shkollës së mesme, me anë të një burse studioi shkenca politike në Wellesley,  universitet privat i vajzave në Masaçusets, ku Hillary Clinton gjithashtu do të merrte pjesë më vonë.

Ishte gjatë kësaj kohe që Albright fillimisht u interesua për politikën demokratike dhe takoi bashkëshortin e saj të ardhshëm, Joseph Medill Patterson Albright, nga një familje e famshme botuese amerikane.

Ai punonte si reporter ndërsa Albright prente klipe në gazetën Denver Post si praktikante. Brenda disa javësh, dyshja u fejuan.

Pasi Albright u diplomua në Wellesley, çifti u martua dhe krijuan familje. Ata kishin tre vajza, binjaket Alice dhe Anne të lindura në vitin 1960 dhe Katherine në 1967.

Ishte në fund të viteve 1960, kur familja u kthye në Uashington DC, Albright u përfshi drejtpërdrejt në politikë. Ajo punoi ngushtë me senatorin e Maine, Ed Muskie, fillimisht duke e ndihmuar atë në mbledhjen e fondeve për një kandidim presidencial dhe më pas si asistente e tij legjislative.

‘Katërmbëdhjetë kostume dhe një fustan’

Kur Bill Clinton u zgjodh president në vitin 1992, ai së pari i kërkoi Albright që ta ndihmonte me tranzicionin e administratës së tij përpara se t’i ofronte asaj rolin në nivel kabineti si ambasadore e tij në Kombet e Bashkuara.

Emërimi i saj erdhi në një kohë të zhvillimeve të mëdha për OKB-në. Bota po zhytej nga rënia e komunizmit dhe një sërë konfliktesh të përgjakshme vunë në provë dorën e një organizmi ndërkombëtar që ende po i merrte këmbët.

Në atë kohë, Albright ishte gruaja e vetme midis 15 përfaqësuesve në Këshillin e Sigurimit. Ajo e përshkroi takimin e tyre të parë si “14 kostume dhe një fustan” në një dhomë.

Gjatë kësaj kohe, si ambasadore, Albright përjetoi atë që ajo e quajti “keqardhjen më të thellë” të karrierës së saj – dështimin e komunitetit ndërkombëtar për të ndalur gjenocidin në Ruandë.

Në skenën botërore, Albright mbrojti në mënyrë agresive interesat e ShBA-së dhe ato demokratike. E ndihmuar nga njohja e saj shumë e ngushtë me komunizmin dhe fashizmin, ajo ishte një përkrahëse e madhe e të drejtave të njeriut dhe e kundërshtimit të autoritarizmit në skenën ndërkombëtare, edhe nëse kjo nënkuptonte ndërhyrje ushtarake.

Të bërit histori

Pasi fitoi mandatin e dytë në detyrë, Presidenti Clinton e emëroi Albright si Sekretaren të Shtetit.

“Kur emri im doli si Sekretare e Shtetit, do të mendonit se isha një aliene,” i tha ajo gazetës Guardian në 2018. “Njerëzit në fakt thanë: “Arabët nuk do të merren me një grua”.

Derisa ishte në detyrë, Albright avokoi për rritjen e ndikimit të NATO-s dhe ndihmoi ndërmjetësimin e negociatave të paqes izraelito-palestineze.

 Albright u bë kryediplomatja amerikane në vitin 1997 gjatë qeverisë së Clintonit.

Shpesh e quajtur si “një kampione e demokracisë”, Albright luajti rol të madh në përpjekjet për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë. Ajo u bë më e famshme gjatë kësaj kohe, në përpjekjet e saj për të shtyrë administratën e Clintonit të ndërhynte për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë që po kryhej nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit.

Disa kritikë e quajtën fushatën pasuese të bombardimeve të NATO-s “Lufta e Albright”.

“Unë marr përgjegjësinë e plotë për të besuar se ishte thelbësore për ne që të mos qëndronim dhe të shikonim atë që Millosheviqi po planifikonte të bënte,” kishte thënë ajo atë kohë. “Ne nuk mund të shikojmë krimet kundër njerëzimit”.

Në vitin 2012, presidenti i atëhershëm Barack Obama i dha Medaljen Presidenciale të Lirisë – çmimi më i lartë për një qytetar – për punën e saj në Ballkan.

Albright ishte gjithashtu kampione e zgjerimit të NATO-s, duke mbikëqyrur shtimin e Polonisë, Hungarisë dhe Çekosllovakisë në 1999 – lëvizje kjo pasojat e së cilës po ndihen edhe sot.

Ajo ishte gjithashtu e përfshirë shumë në negociatat me Korenë e Veriut që synonin të frenonin ambiciet e tyre bërthamore, megjithëse ato përfundimisht dështuan.

Pas largimit nga detyra, Albright hapi një firmë këshillimi dhe shërbeu për një kohë të shkurtër si drejtoreshë bordi në bursën e shkëmbimit të Nju Jorkut. Ajo vazhdoi të drejtonte institucione, të fliste publikisht dhe madje të dilte në shfaqjet televizive amerikane. BBC

Përgatiti: Ardita Zeqiri