Nga 15 dhjetori qendrat e vaksinimit do të transferohen nëpër QKMF

Qendrat e vaksinimi kundër coronavirusit nga 15 dhjetori i këtij viti do të transferohen në qendrat kryesore të mjekësisë familjare.

Kështu bëri të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Qendra e vaksinimit që nga 29 marsi i këtij viti kanë shërbyer si hapësira për të vaksinuar qytetarët kundër SARS-CoV-2. Secila komunë e ka qendrën e vaksinimit për qytetarët e saj dhe është i ndarë staf shëndetësor për vaksinim.

Në mënyrë që të rritet interesimi për vaksinim kundër pandemisë së coronavirusit Ministria e Shëndetësisë ia ka mundësuar secilit qytetar që të vaksinohet në cilëndo nga qendrat e vaksinimit pavarësisht nëse i takon asaj komune apo jo.

Aktualisht në Kosovë vaksinimi anti-COVID-19 bëhet nga mosha 12-vjeç.

Sipas Organizatës së Shëndetësisë Botërore dhe Departamentit Amerikan të Ushqimit dhe Barnave – FDA,  vaksinimi është një nga mënyrat për të parandaluar vdekshmërinë nga COVID-19.

Në Kosovë janë në dispozicion dy lloje të vaksinave, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.

Deri më tani në nivel vendi janë vaksinuar komplet apo me dy doza të vaksinave 47 për qind e qytetarëve apo 772 mijë e 105 qytetarë ndërsa me një dozë janë vaksinuar 53 për qind e qytetarëve. Nga muaji mars e deri më tani janë administruar mbi 1,6 milion doza të vaksinave kundër SARS-CoV-2.

Rastet e para të infektimit me COVID-19 në Kosovë janë shfaqur më 13 mars të vitit të kaluar dhe deri më tani nga ky virus janë infektuar 161 mijë e 193 qytetarë prej tyre 2 mijë e 987 kanë vdekur.

sa i përketë përhapjes së pandemisë në nivel global, nga nëntorit i vitit 2019 e deri më sot janë infektur mbi 270 miliuon njerëz si dhe kanë vdekur mbi 5 milion.