
Nesër pritet të mbahet seanca ndaj Ukë Rugovë, i akuzuar për skandalin me viza italiane
Më 11 mars pritet të dalin para gjykatës, Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani, për skandalin me viza italiane.
Kurse 14 janari i viti të kaluar ishte data e fundit e mbajtjes së seancës gjyqësore ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve për skandalin me viza italiane.
Gjyqtarja e cila pritet ta gjykojë këtë rast është Fatime Dërmaku.
Para Dërmakut ky rast kaloi nëpër duar edhe të gjyqtarëve të EULEX-it, e më pas edhe gjyqtares Naime Krasniqi – Jashanica, por asnjëri prej tyre nuk mundi ta çojë deri në fund këtë gjykim.
Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar afro 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.
Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.
Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.
Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej te cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.