Foto: Facebook/ Ilir M. Shala

Nënshkruhet marrëveshja për projektin për prodhimin e rrymës nga era

Në Prishtinë sot është nënshkruar marrëveshja për fillimin e realizimit të projektit të gjeneremit të energjisë elektrike nga era.

Projekti do të realizohet nga kompania “Sowi Kosovo” në fshatin Selac të Mitrovicës.

Zyrtari i kompanisë, Felix Cornelius, tha se për të realizuar këtë projekt kanë gjetur mbështetjen te partnerë ndërkombëtarë.
“Në këtë projekt janë përfshirë Kosova, Gjermania, Izraeli, Sllovenia, Austria e Shtetet e Bashkuara”, tha Cornelius.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, i cili tha se ky projekt është dëshmi se “sa shumë gjëra mund të bëjmë kur bashkohemi”.

Ambasadori falënderoi Qeverinë e Kosovës për përkrahjen që i ka dhënë projektit.

kurse, Ilir Shala, drejtor ekzekutiv i KOSST, tha se ky investim do të jetë edhe një hap përmbushjes së kritereve për anëtarësim në BE.
I lumtur për nënshkrimin e marrëveshjes u shpreh edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

“Jam i lumtur që  170 milionë euro do të vijnë në Mitrovicë”, tha Bahtiri duke falënderuar partnerët ndërkombëtarë për përkrahjen dhe bëri thirrje që edhe investitorë të tjerë të vijnë në zonën e Mitrovicës por edhe të krejt Kosovës.

Parku i Energjisë me Erë që do të ndërtohet në Selac do të ketë kapacitet prej 105 megavatësh (MW).

Sipas rregullave të miratuara nga ZRrE, KOSTT është blerës i energjisë së gjeneruar nga burimet e ripërtrishme dhe garantues se investitori do të paguhet për energjinë e prodhuar.