Energjia - turbinat

Cilat janë kapacitetet e Kosovës për prodhim të energjisë elektrike nga era?

Në raportin, i cili ishte arsyeja që Banka Botërore të tërhiqet nga mbështetja e idesë për termocentralin ‘Kosova e Re’, janë renditur disa nga opsionet për furnizim me energji elektrike të cilat kanë kosto më të ulët.

Njëra ndër këto opsione është edhe prodhimi i energjisë elektrike me erë.

Raporti i Bankës Botërore ka parashikuar se deri në vitin 2020 do të ndërtohen 150 MW kapacitete të reja të energjisë së erës.

Për të promovuar prodhimin e energjisë elektrike me erë, ZRrE zhvilloi një procedurë të autorizimit dhe krijoi një tarifë prej 85 euro për MW për orë.

Në qershor të vitit 2017, projekti me kapacitet 105 MW në veri-lindje të Kosovës pranoi autorizimin final dhe në lindje të Kosovës është duke u ndërtuar projekti me kapacitet 32.5 MW.

Në tetor të vitit 2018, në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim publikisht kishte deklaruar që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

Organizata partnere e Balkan Green Foundation (BGF), Instituti për Ekonomi të Energjisë dhe Analiza Financiare (IEEFA), publikoi përmbledhjen ekzekutive të raportit të Bankës Botërore për opsionet e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.

Rezultatet e këtij raporti, të cilat asnjëherë nuk u bënë publike, ishin arsyeja që Banka Botërore të tërhiqet nga mbështetja e idesë për një termocentral të ri në Kosovë.

Në mënyrë më të detajuar, Banka Botërore atëherë shikoi tre skenarë në mënyrë që të rendiste opsione të ndryshme të furnizimit të Kosovës me energji elektrike me kosto më të vogël.

Sipas Bankës Botërore, energjia e ripërtërtishme dhe efiçienca janë opsionet me kosto më të ulët të energjisë elektrike.

“Kosova mund të përmbushë nevojat e saj të ardhshme për energji elektrike të paktën me kosto më të ulët duke zhvilluar burimet e saj të ripërtëritshme të energjisë, duke investuar në efiçiencën e energjisë dhe duke pastruar gjenerimin ekzistues të energjisë nga qymyri”, ka shkruar Gerard Wynn, Konsulent për financimin e energjisë në IEEFA.

Pse nuk e përkrahu Banka Botërore ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’?