Ilustrimi: Flickr

ZRrE licencon sërish ndërmarrjen "SOWI Kosovo" për prodhim të rrymës nga burimet e ripërtërishme

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), në seancën e sotme ka marrë vendim që t’i lëshojë licencën për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme nga parku me erë “SELAC 2”, ndërmarrjes “SOWI Kosovo”  në kapacitet prej 34.47 megawatë.

Sipas ZRrE-së, ndërmarrja kosovare-gjermane-izraelite “SOWI Kosovo” ka ndërtuar tashmë tri projekte të prodhimit të energjisë elektrike nga era në komunën e Mitrovicës, me një kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megawatë.

“Pas vendimit të sotëm të Bordit, janë dy projekte të kompanisë ‘Sowi Kosovo’ që kanë marrë licenca për prodhim. Projekti i parë prej 34.47 MW ka filluar prodhimin në tetor të këtij viti. I dyti, apo projekti i licencuar sot, së shpejti do të fillojë prodhimin dhe gjatë këtij muaji po ashtu pritet edhe licencimi i projektit të tretë”, thuhet në njoftim.

Pjesë e shqyrtimit nga bordi, sipas njoftimit, kanë qenë edhe disa çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.