
Foto: KALLXO.com
Nënë e bijë sërish në gjyq për vrasjen në Malishevë
Më 6 dhe 12 prill pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Nafije Rrafshit dhe Behare Nurës, nënë e bijë, të akuzuara për vrasjen e Sefer Berishës.
Procedura ndaj Nafije Rrafshit kishte filluar në vitin 2018, ndërsa më pas si e dyshuar kishte dalë edhe vajza e saj në vitin 2020.
Në këtë rast, pas propozimit të prokurorit Ali Uka, ishin bashkuar të dyja lëndët, pasi që të akuzuarat akuzoheshin për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje.
Ky rast, dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, me 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.
Nafije Rrafshi ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2018, ndërsa Behare Nura që nga dhjetori i vitit 2019.
Përshkrimi i vrasjes së 57-vjeçarit nga Prokuroria:
“Me të vërejtur veturën e të ndjerit, Nafije Rrafshi bashkë me Behare Nurën i afrohen veturës së tani të ndjerit, të cilën veturë e kishte lënë në afërsi të një pylli dhe njëra nga të akuzuarat gjuan në drejtim ku ishte i ulur i ndjeri, duke e qëlluar atë në anën e majtë në qafë, kokë dhe veshin e djathtë, duke e privuar të njëjtin nga jeta, dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”.
Prokuroria thotë se ky veprim është bërë me revolen e tipit TT kalibër 7.62 mm.
KALLXO.com kishte raportuar kur të njëjtat janë arrestuar nga Policia.
Mirëpo, më pas Policia në bashkëpunim me Prokurorinë, kishin gjetur të dyshuar Nafije Rrafshin.
Fillimisht, Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.
Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura për ata.
Aktakuza shpjegonte se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës kishte vrarë tani të ndjerin Sefer Berishën 57-vjeçar.
Në aktakuzë thuhej se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.
Aktakuza thoshte se pas një fjalosjeje dhe kacafytje, e akuzuara kishte nxjerrë revolen nga çanta e saj dhe e kishte qëlluar të ndjerin disa herë, e më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.