Çekani i drejtesise - Ilustrim

Gjakovë - refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës në rastin e vrasjes së Sefer Berishës në Malishevë

Për vrasjen e Sefer Berishës, po akuzohen nënë e bijë, Nafije Rrafshi dhe Behare Nura.

Procedura ndaj Nafije Rrafshit kishte filluar në vitin 2018, ndërsa më pas, si e dyshuar kishte dalë edhe vajza e saj.

Në fund të vitit të kaluar, Behare Nura ishte deklaruar e pafajshme.

Më pas, gjykata ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj Behare Nura, si të pa bazuar në ligj.

Behare Nura gjendet në paraburgim prej datës 26 dhjetor 2019.

Ky rast, dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, me 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.

Kërkesa e Prokurorisë e shpjegonte rastin e vrasjes së 57 vjeçarit:

“Përderisa në veturë ishte tashmë e akuzuara Nafije Rrafshi bashkë me dy të arrestuarit e tjerë, për një moment Nafija e ndal veturën, dhe bashkë me dy të pandehurit tjerë Granit Alushani dhe Behare Nura, i afrohen veturës së tani të ndjerit, ku njëri prej të pandehurve gjuan nga jashtë automjetit në drejtim ku ishte i ulur i ndjeri, duke e qëlluar atë në anën e majtë në qafë, kokë dhe veshin e djathtë, duke e privuar të njëjtin nga jeta, dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”,  thuhej në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Granit Alushani kishte dalë para gjykatës nën akuzën për armëmbajtje pa leje. Ai ishte deklaruar i fajshëm.

Prokuroria thotë se ky veprim është bërë me revolen e tipit TT kalibër 7.62 mm.

Kallxo.com ka raportuar kur të njëjtit janë arrestuar dhe më pas kanë dalë para gjyqit.