Në veri të Kosovës gjenden mbetje mortore të tre personave, dyshohet të jenë nga lufta e fundit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se në lokacionin ‘Vidimiriq’ në veri të Kosovës janë gjetur mbetje mortore të së paku 3 personave që dyshohet të jenë të luftës së fundit.

Gërmimet po kryheshin edhe në Prishtinë, Podujevë dhe Kamenicë.

“Krahas gërmimëve në lokacione të ndryshme në Republikën e Kosovës (si: Prishtinë, Podujevë dhe Kamenicë), sot ekipet tona të IML-së dhe Policisë së Kosovës, kanë vazhduar gërmimet në lokacionin e quajtur ‘Vidimiriq’, Veriu i Kosovës. Ne kemi hasur në mbetje mortore, të së paku 3 personave, që sipas ekspertave tonë mjekoligjor, mund t’i përkasin luftës së fundit në Kosovë”- thuhet në njoftim.

Komisioni ka theksuar se pas ekzaminimit më të hollësishëm, dhe pas konfirmimit të ADN-së, do të dalin me rezultatet e gjetjeve.