Në raportin e fundit të policisë dhjetë raste të dhunës në familje

Dhjetë raste janë raportuar dhe janë publikuar në raportin e fundit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Nga dhjetë rastet, shumica janë të cilat u regjistruan përgjatë datës 19.04.2024.  Në rajonin e Prishtinës, u regjistruan pesë raste. 

Në një rast, në Lipjan një grua ka raportuar se më 28.03.2024 vjehrra e saj kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj. 

Policia ka njoftuar se për rastin janë intervistuar palët, është njoftuar edhe prokurori kujdestar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt. 

Në Fushë Kosovë, në orën 4 të mëngjesit të 19.04.2024, policia ka njoftuar se një burrë ka raportuar se pas një mosmarrëveshje  lidhur me kujdesin ndaj fëmijës, ish gruaja e tij e  dyshuara femër kosovare e ka kanosur dhe sulmuar fizikisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër në Fushë Kosovë është raportuar rreth orës 13:40. Policia ka njoftuar se është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje dyshohet se kishte kanosur bashkëshortin e saj viktimën mashkull kosovar. Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovë sërish, rreth orës 14:19 të datës 19.04.2024, policia ka njoftuar se një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është ofenduar nga bashkëshorti, i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë gjatë 10.04.2024, është arrestuar një person i dyshuar për dhunë në familje. Policia ka njoftuar se rasti ishte raportuar më 18.04.2024 dhe burri pas arrestimit është dërguar në mbajtje.

Në Ferizaj më 19.04.2024 është raportuar një rast i dhunës në familje. Një burrë dyshohet se ka kryer këtë vepër penale ndaj bashkëshortes së tij dhe i njëjti është dërguar në mbajtje. 

Në rajonin e Pejës janë regjistruar dy raste. Njëri është raportuar në Istog e i cili daton nga 13.04.2024. Një djalë ka raportuar se babai i tij kishte ushtruar dhunë psiqike ndaj nënës së tij dhe më pas kishte kanosur edhe anëtarët e tjerë të familjes. I dyshuari është arrestuar dhe nga ai është konfiskuar një pushkë gjuetie me 12 fishekë për të cilën nuk kishte leje. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Klinë më 18.04.2024 rreth orës 04:00,  viktima femër kosovare, ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

Policia ka njoftuar se një rast është raportuar në Malishevë më 18.04.2024 rreth orës 12:00. 

Të njëjtit kanë thënë se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij të mitur. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

 Në Mitrovicë me 19.04.2024 rreth orës 21:00 dy viktimat femra kosovare, kanë njoftuar se edhe pse kanë urdhër-mbrojtës, babai i tyre i dyshuari mashkull kosovar është duke i shqetësuar në vazhdimësi. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit dërgohet në mbajtje.