Foto: KALLXO.com

Në qendrën korrektuese në Lipjan vdes një 21 vjeçare

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan ka vdekur një 21 vjeçare me inicialet M.K.

Sipas njoftimit, stafi mjekësor ka reaguar menjëherë por nuk kanë mundur ta kthejnë në jetë viktimën.

“Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të Qendrës, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë”, thuhet në njoftim.

Tutje, Shërbimi Korrektues i Kosovës bënë të ditur se e ndjera ka qenë nën vëzhgimin e psikologut.

“E dënuara, në QKF Lipjan është pranuar me datën 27.04.2021, që nga fillimi deri 18.06.2021 ka qenë në vëzhgim çdo 15 minuta nga psikologu i Qendrës. Po ashtu, nga data 02.11.2021 ka qenë në vëzhgim (observim) çdo 30 minuta, i cili vëzhgim ka vazhduar”, thuhet tutje aty.

Sipas njoftimit lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokurori, ndërsa SHKK ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me Raport Administrativ Përfundimtar.

“Stafi mjekësor i Stacionarit të Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin. Autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes”, thuhet tutje aty.