Screenshot nga xhirimet e samitit SHBA-Kinë. Burimi: Xhirimet e Shtëpisë së Bardhë
"Ne jemi dy superfuqitë” – andaj, ku është Europa?
Përderisa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po vazhdon vizitën në Pekin – të përcjellë me sytë katër – ku po zhvillohen samitin me homologun kinez, Xi Jinping, rreth tregtisë dhe sigurisë, Europa po pyet me ankth se si do t’u përshtatet rezultateve eventuale, shkruan gazetarja Angela Skujins e televizionit Euronews në buletinin e së enjtes nga Brukseli, ku me bindje të plotë vlerëson se “të gjithë ata që nuk e shijojnë festën zyrtare, sytë i kanë fiksuar fort tek ajo që po ndodh gati tetë mijë kilometra në lindje”.
Para se presidenti Trump të largohej nga Shtëpia e Bardhë të martën për fluturimin thuajse 14-orësh drejt kryeqytetit kinez, do të përshkruante me një anglishte të thjeshtë rëndësinë e vizitës. “Ne jemi dy superfuqitë”, deklaroi pa u menduar dy herë.
“Ne jemi shteti më i fortë në tokë për sa i përket ushtrisë. Kina konsiderohet e dyta”, theksoi Trump.
Pas aterrimit në Pekin, të dy presidentët shprehën shpresën se takimi – i parë si takimi më i rëndësishëm dypalësh i vitit 2026 – do të jetë rezultativ kur vjen puna te çështjet, si lufta e Iranit, tregtia dhe Tajvani. Por Xi ka paralajmëruar se si takimi mund të perceptohet nga jashtë, dhe e ka pyetur homologun nëse të dy vendet mund ta kapërcejnë “Kurthin e Tukididit” dhe “të krijojnë një model të ri për marrëdhëniet midis fuqive të mëdha”.
Ai po i referohej idesë se kur një fuqi në rritje kërcënon të zhvendosë një fuqi të konsoliduar, rezultati është shpesh lufta. “Është nder të jem me ju. Është një nder të jem miku juaj”, ia ktheu Trump.
Europa me hamendje po shikon nga larg
Siç shkruan Stefan Grobe, Europa po i shikon të gjitha këto nga periferia, duke u pyetur se si kontinenti do të jetë i shtrydhur midis superfuqive.
Metalet e rralla janë pika kryesore e ngërçit këtu, me Kinën që ka kontroll të fortë prej 17 xehesh të rralla të dheut të përdorura për prodhimin e teknologjive thelbësore. Çështja është se Pekini mund – dhe i ka – ndalur furnizimet si kur e ndal çezmën. Sikur se Brukseli, Uashingtoni i lakmon këto minerale.
Skenari i tmerrshëm për Europën është se presidenti Trump, i cili udhëtoi drejt Pekinit nën retë më të zeza ekonomike të karrierës së tij politike, të arrijë një marrëveshje që e lë bllokun në hamendje. Ekspertët nuk mund ta përjashtojnë si rezultat të mundshëm.
“Realisht, bisedimet Trump-Xi po bëhen krejt dypalëshe”, ka thënë Jonas Parello-Plessner, bashkëpunëtor vizitor në programin Indo-Paqësor në Fondin Gjerman Marshall (GMF). “Dhe një gjë është e sigurt: Trump do të flasë vetëm për veten e tij”.
“Përça e sundo”
Eurodeputeti Michael Bloss është pjesë e delegacionit përgjegjës për marrëdhëniet Bruksel-Pekin. Ai porsa i ka deklaruar emisionit të Euronewsit, “Europe Today” se Europa duhet të kuptojë se nuk është ulur në tryezë gjatë këtyre bisedimeve, gjë që mund të ndikojë në të ardhmen e saj – dhe se mbijetesa e kontinentit mbështetet në të folurit njëzëshëm dhe vendosmërisht.
“Kina po ndjek këtë politikën ‘përça dhe sundo’”, ka theksuar ai, “por pyetja është, për ne, si mund të fitojmë më shumë autonomi dhe më shumë sovranitet?”
Debati në lidhje me varësinë po nxehet edhe BE.
Siç raporton Marta Pacheco, ministrat e Energjisë në Qipro të mërkurën u përballën me varësinë e Europës nga dominimi i Kinës kur vjen puna te ruajtja e energjisë.
Firmat kineze tani kontrollojnë hisen më të madhe të tregut të sistemit të ruajtjes së energjisë në bateri në Europë, duke përbërë më shumë se 80% të segmentit të ruajtjes së energjisë në banesa dhe gati 88% të importeve të baterive litium-jon, sipas firmës globale të të dhënave kërkimore “Wood Mackenzie”.
Analistët thonë se Europa mund të zvogëlojë varësinë strategjike nga Kina në industritë e energjisë së pastër, por zëvendësimi i Pekinit në krejt zinxhirin e furnizimit është ndoshta jorealist brenda dekadës së ardhshme.
“Megjithëse ka pasur rënie të konsiderueshme të investimeve nga kompanitë kineze të energjisë që nga fundi i viteve 2010, si dhe një shqyrtim më të madh të investimeve të huaja direkte kineze në përgjithësi, vazhdon trashëgimia e përfshirjes kineze në sistemin energjetik”, thuhet në një dokument nga Instituti i BE-së për Studime të Sigurisë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com