Foto: KALLXO.com

Në gjykimin për import e eksport të armëve apo materieve plasëse,  5 nga 6 të akuzuarit pranojnë fajësinë

Në seancën ndaj 6 të akuzuarve për import, eksport, furnizim, transportim, shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse 5 nga të pandehurit e kanë pranuar fajësinë.

Në Gjykatën e Prishtinës më 12.06.2024 kanë pranuar fajësinë Selman Selmani, Esat Xhemajli, Shemsedin Haziri, Sabit Sahiti dhe Mursel Latifi, të cilët po akuzohen për vepërën penale të përmendur më lart.

Ndërsa i akuzuari Sheremet Jashari gjatë seancës së sotme deklaroi se nuk kishte të bënte aspak me këtë grup.

“Nuk e pranoj fajësinë dhe nuk e ndjej veten fajtor, nuk kam lidhje më këtë grup dhe nuk i kam njohur kurrë ” – deklaroi i akuzuari Sheremet Jashari gjatë seancës së sotme.

Po ashtu në fillim të seancës prokurorja Fikrije Zejnullahu bëri precizimin e dispozitivit të aktakuzës dhe cilësimin juridik të veprës penale.

“Ndërkaq nga rikualifikimi juridik i veprës penale hiqet pjesëmarrja ose organizmi i grupit kriminal të organizuar, mbetet vetëm vepra penale “bashkëkryerja”- shtoi prokurorja Fikrije Zejnullahu.

Trupi gjykues në përbërje të kryetarit Vesel Ismajli dhe dy anëtarët Musa Konxheli dhe Arben Hoti vendosi që ndaj Sheremet Jasharit të bëhet veçimi i procedurës penale për shkak se i akuzuari nuk e pranon fajësinë, ndërsa seanca ndaj 5 të akuzuarve të tjerë vazhdoi me dhënien e fjalëve përfundimtare.

“Prokuroria konsideron se përkundër faktit për pranimin e fajësisë duke pasur parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, pasojave që shkaktohen nga kjo veprimtari kriminale e cila fatkeqësisht është shndërruar në një dukuri në Kosovë i propozoj Gjykatës të ketë parasysh në rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, se shitblerja e një sasie relativisht të madhe të armëve dhe municionit paraqet rrezikshmëri te lartë shoqërore” – tha prokurorja Fikrije Zejnullahu.

Përveç prokurores gjatë seancës së sotme fjalët përfundimtare u dhanë edhe nga 5 të akuzuarit dhe avokatët mbrojtës të tyre të cilët kërkuan nga Gjykata një dënim sa më të butë.

Avokatët  e 5 të akuzuarve kërkuan nga Gjykata të merret parasysh si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë së tyre ndërsa të akuzuarit i mbështetën fjalët e avokatëve të tyre.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje gjyqësore do të bëhet më 19.06.2024.

Dosja e Prokurorisë

Sipas dosjes së Prokurorisë është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Selman Selmani, Esat Xhemajli, Shemsedin Haziri, Sahit Sahiti, Sheremet Jashari dhe Mursel Latifi sepse nga koha e pavërtetuar e në vazhdimësi deri në muajin mars dhe maj të vitit 2023, kanë vepruar si grup i organizuar kriminal në atë mënyrë që me dashje janë marrë vesh paraprakisht që të furnizohen, transportojnë, këmbejnë, ndërmjetësojnë dhe shesin në mënyrë të paautorizuar armë dhe municion.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Selman Selmani dhe Shemsedin Haziri duke drejtuar veprimtarinë e këtij grupi kriminal së bashku me të pandehurit e tjerë në vazhdimësi janë takuar dhe kanë komunikuar me të pandehurit Esat Xhemajli, Sahit Sahiti, Sheremet Jashari dhe Mursel Latifi me qëllim blerjes së armëve dhe municionit.

Tutje sipas aktakuzës pasi kanë siguruar armët fillimisht i kanë dërguar në shtëpinë e të pandehurit Sabit Sahiti në Mitrovicë, me c’rast me datë 12.03.2023 gjatë kontrollit të shtëpisë së të pandehurit Sabit Sahiti janë gjetur dhe sekuestruar njëzet armë të gjata “AK-47” ndërsa më 17.05.2023  gjatë zbatimit të kontrollit të shtëpisë së të pandehurit Mursel Latifi, të njëjtit  i janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, dymbëdhjetë fishekë të “AK-47”, dyqind e pesë fishekë të armës së gjatë, një karikator i armës “AK-47”, një kondak druri dhe një telefon.

Me këtë prokuroria për këto veprime të pandehurit i akuzon se kanë kyrer veprat penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve aoi materieve plasëse.

Prokurorja e rastit në fillim të seancës bëri të ditur se është bërë precizimi i aktakuzës kundër të pandehurve në atë mënyrë që hiqet pjesa e fjalisë “si grup i organizuar kriminal” dhe pjesa në vazhdim mbetet e njëjtë deri te rreshti 5, deri te emri i të akuzuarit Shemsedin Haziri, ku hiqet pjesa e fjalisë “duke e drejtuar veprimtarinë e këtij grupi kriminal së bashku me të pandehurit e tjerë” ndërkaq pjesa tjetër e dispozitivit mbetet e pandryshuar.