Hekuran Murati gjatë raportimit në Komision për Buxhet

Murati thotë se Qeveria deri më 15 korrik do të miratojë ndryshimet në Ligjin për Skemat pensionale

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se deri më 15 korrik të këtij viti, Qeveria do t’i miratojë ndryshimet në Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo Gjykatë në fund të vitit 2022, kishte marrë vendim që të largojë nenin 8 të Ligjit për Skemat pensionale. Ky nen përcaktonte se të gjithë punëtorët që nuk i kanë 15 vite punë para datës 1 janar 1999, nuk e gëzojnë të drejtën për pension kontributdhënës.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Murati ka thënë se pas pranimit të aktvendimit nga Gjykata Kushtetuese, Qeveria dhe ministria që ai e udhëheq ka filluar punën për të adresuar ndryshimet.

“Koha ka qenë shumë e shkurtër dhe nuk është se ka pasur ndonjë konsultë nga Gjykata Kushtetuese, sa i përket mundësive sepse kemi edhe implikime buxhetore, që patjetër duhet të shikohen. Ne e kemi shqyrtu dhe jemi drejt finalizimit të draftit, në mënyrë që të sjejllim si të tillë për miratim” – ka thënë Murati.

“Por bëhet fjalë për një implikim të lartë financiar. Po besoj që në mbledhjet e rradhës të Qeverisë do të miratohjet, sepse bëhet fjalë për një numër të madh të pensionistëve që do t’i ndryshojë kategoria”.

Në janar të këtij viti, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, kishte thënë se me këtë vendim të Kushtetueses, secili qytetar do të shpërblehet me pension për aq vite sa ka punuar.

“Ju informojmë në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për largimin e nenit 8 në ligjin për skemat pensionale. Nëse ju i keni pasur 14 vite e 11 muaj përvojë, nuk keni pasur mundësi të përfitoni nga pensionat dhe kërkesa jonë ka qenë të largohet ky kushtëzim” – kishte thënë Dreshaj.

Sipas tij, pozita nuk e kishte mbështetur këtë nismë.

“Nuk e kemi pasur mbështetjen e pozitës dhe ky proces është zhagit prej majit të 2022-ës. Duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pensioninstët t’i gëzojnë pensionet. Shpresoj që ky ligj brenda 6 muajve të merr formën e prerë” – pati thënë ndër të tjera Dreshaj.

Gjithashtu ministri Hekuran Murati gjatë mbledhjes së Komisionit u pyet në lidhje me Ligjin për Lotarinë e Kosovës. Murati tha se aktualisht si Qeveri e kanë vlerësuar se nuk është prioritet për shqyrtim.

“Nëse shohim raportet financiare të kaluara të lotarisë, nuk është që ka pasur ndonjë përfitim te buxheti apo shoqëria. Por me rregullimin e këtij ligji mund të ketë potencial në të ardhmen” – tha Murati.

Komisioni në parim u pajtua që ta tërheq këtë projektligj nga shqyrtimi në Kuvendin e Kosovës, pasi u vlerësua se për momentin nuk është i nevojshëm, por që si pikë e rendit të ditës u la për mbledhjen e radhës të Komisionit, pasi të merret miratimi edhe nga 6 deputetët të cilët e kanë propozuar.