Murati flet për ‘mosshtrenjtimin’ e rrymës në veri

Ministri i Financave Hekuran Murati, tha se nuk e di se çfarë është diskutuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji lidhur me mosshtrenjtimin e rrymës në katër komunat në veri.

Ai tha se do të mundohen si qeveri që t`i zgjidhin në afatin sa më të shkurt problemet e trashëguara.

“Nuk di çka është diskutuar e di që dje kanë qenë në raportim në komisionin për ekonomi dhe si janë referuar çështjes, por jemi duke punuar në çështjet si t`i zgjidhim problemet që i kemi trashëguar tash e 20 vite”, tha Murati.

Sipas raportimit të KALLXO.com katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, nuk janë përfshirë në kalkulimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në kuadër të propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit të ZRrE-së, ka thënë sot se ZRrE-ja nuk ka të drejtë të marrë vendim për këtë çështje.

Kjo është çështje që ZRrE nuk ka të drejtë të merr vendim për shkak të vendimit të gjykatës dhe në kalkulimin nuk është përfshirë”, ka thënë ai.