Muharrem Beka: Që nga viti 2014 nuk është blerë asnjë automjet për zjarrfikësit në Kosovë

Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikësve tha se që nga viti 2014 nuk është blerë asnjë automjet për njësitë e Zjarrfikësve në Kosovë.

në emisionin “Kallxo Përnime”, Beka ka thënë se në të gjitha njësitë e Zjarrfikësve ka mungesë të pajisjeve.

“Në të gjitha njësitë ka mungesë të pajisjeve. Në vitin 2014 Qeveria e Kosovës me Bankën për Zhvillim i kanë siguruar disa automjete dhe prej atëherë asnjë automjet nuk është blerë për njësi dhe nuk janë furnizuar me pajisje kolektive siç i quajmë”, ka thënë ai.

Beka ka thënë se ka pasur raste në disa komuna në Kosovë që policët është dashur të vozisin zjarrfikësit në rast të intervenimit për përforcim.

“Ka ndodhur kur zjarrfikësit e kanë shtyrë automjetet m’i ndez, ka kamion që 7-8 vite as gomat nuk ju kanë ndërruar, ka njësi që e kanë vetëm një vozitës, dhe në rast që shkojnë në intervenim për përforcim, duhet Policia me kthye vozitësin sepse nuk ka”, ka thënë ai.

Beka ka thënë se këto raste kanë ndodhur në disa komuna të Kosovës.

“Kanë ndodhur në komunën e Malishevës, në Suharekë, ka pasur edhe në komuna tjera kur është vetëm një zjarrfikës në ndërrim. Janë tre persona, çfarë force është një ekip prej tre personave. Është e pamundur për të kryer punë”, ka thënë tutje ai.

Beka tutje ka shtuar se problemet më të mëdha më të cilat përballen zjarrfikësit kanë të bëjnë me çështjen që kjo kategori janë pa status të zgjidhur juridik.

“Problemet janë më substanciale sepse jemi pa status të zgjidhur juridik, dhe jemi pa definim të kompetencave menaxhuese dhe nuk e dimë se kush është përgjegjës për kategorinë e të punësuarve, për shkak së është krijuar një dualizëm mes komunave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme prej vitit 2013. Me ligj jemi punëtorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme ndërsa pagat i marrim në komunë. Çdo kërkesë që parashtrohet faji i hidhet njëra-tjetrës”, ka thënë ai.