Zjarri në Prishtinë, drejtori i Emergjencave dhe komandanti i Zjarrfikësve japin detaje rreth rastit

Mëngjesin e sotëm, 20.02.2024, në një ndërtesë shumëkatëshe në ndërtim e sipër në lagjen “Pejton” në Prishtinë, ka rënë zjarri.

Nga incidenti nuk është raportuar për të lënduar, përveç një gërvishtje të vogël që ka pësuar një zjarrfikës gjatë intervenimit.

Ushtruesi i detyrës së komandantit të Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka thënë se informata ka arritur rreth orës 09:35, ndërsa zjarrfikësit kanë arritur në vendin e ngjarjes në 09:41.

Sipas tij, informata fillimisht ka qenë për zjarr në një lokal, por më pas është kuptuar se bëhet fjalë për një ndërtesë shumëkatëshe.

“Është fat i mirë që reagimi ka qenë shumë i shpejtë, arritja në kohë shumë të shpejtë, por kur kanë ardhë këtu në vendin e ngjarjes është parë që nuk është në pyetje vetëm një lokal, por ka disa vatra të zjarreve nëpër izolimin e ndërtesës që po shihet prapa neve, që është ndërtesë shumëkatëshe dhe izolimi i tij brenda fasadës ka pasur disa vatra të zjarrit nëpër disa kate” – ka thënë Gashi para gazetarëve.

Ndërsa drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se shkaqet e zjarrit ende nuk mund të dihen, por që bëri të ditur se rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.

“Siç e shihni edhe vetë, të gjitha ekipet janë mobilizu, për momentin nuk kemi një vatër të zjarrit, por është duke u bërë verifikimi i çdo kati në mënyrë që të parandalojmë përhapjen apo të parandalojmë ndonjë vatër të re të zjarrit” – tha ai.

Në anën tjetër edhe Policia e Kosovës, konkretisht zëdhënësja për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për KALLXO.com se nuk ka pasur të lënduar nga incidenti.

Përndryshe, dje me 19.02.2024 është përfshirë nga zjarri objekti i Shtëpisë  së personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare në Prishtinë. Po ashtu nga ky incident nuk ka pasur të lënduar.