Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MPJD: Sipas të dhënave të deritanishme nuk ka shtetas të Kosovës në mesin e viktimave në Pragë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se sipas të dhënave të deritanishme zyrtare nuk ka shtetas të Republikës së Kosovës në mesin e viktimave dhe as të lënduarve në Pragë.

Në njoftimin e Ministrisë është thënë se janë thellësisht të tronditur nga sulmi i armatosur që ndodhi sot në Universitetin e Karlit në Pragë, ku humbën jetën mbi 15 persona si dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe i uron shërim të shpejt të plagosurve” – thuhet në njoftim.

Tutje MPJD gjithashtu informoi se Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë që në momentin e marrjes së njoftimit ka kontaktuar me profesorë dhe studentë të seksionit të gjuhës shqipe në këtë Fakultet, të cilët ndodheshin në të njëjtën ndërtesë ku ndodhi sulmi.

“Ministri nëpërmjet Ambasadës në Pragë ka vendosur njoftimin për shtetasit tanë, përmes të cilit u është bërë thirrje që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale si dhe ka vënë në dispozicion linjën emergjente telefonike +420 257 217 775, që do jetë në dispozicion 24h për çdo kërkesë për ndihmë konsullore” – u tha tutje.

Mbi 15 persona janë vrarë dhe 24 janë plagosur rëndë, si pasojë e sulmit me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit, në Pragë të Republikës Çeke, kanë thënë shërbimet e emergjencës.

Policia ka thënë se sulmuesi, 24-vjeçar, ka qenë student i universitetit dhe sulmi ka qenë i paramenduar.

Trupi i pajetë i tij është gjetur në ambientet e universitetit. Policia ka thënë se ai ka qenë prej një fshati 21 kilometra larg Pragës.

Sipas Policisë, babai i të dyshuarit është gjetur i vdekur më herët gjatë ditës.

Shefi i policisë, Martin Vondrashek, ka thënë se shifrat e viktimave mund të mos jenë përfundimtare.

Ai ka thënë se sulmuesi është inspiruar prej sulmeve të ngjashme që kanë ndodhur jashtë shtetit.

Ministri i Brendshëm, Vit Rakushan, ka thënë se “nuk ka sinjale që krimi ka pasur lidhje me terrorizëm ndërkombëtar”.

Autoritetet çeke kanë thënë se zyrtarët dyshojnë që sulmuesi është përgjegjës për vdekjen e dy personave javën e kaluar në pyllin Klanovicki afër Pragës.

Ata besojnë se sulmuesi – i cili nuk ka pasur histori kriminale – ka shtënë ndaj viktimave, pa dallim.

Policia e ka evakuuar një ndërtesë, por i dyshuari ka shtënë në tjetrën.