Momentet kur komunarëve të Pejës u kumtohet vendimi për arrestim

Para katër ditësh, Rajan Arapi, drejtori i Urbanizmit në Pejë, bashkë me dy drejtorë të tjerë të zonës së Dukagjinit janë arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës, nën dyshimin se kanë dhënë leje ndërtimore për mbindërtime e për ndërtime të larta për disa kompani.

Emisioni ‘Kallxo Përnime’  shfaq ekskluzivisht momentin se si i kumtohet lajmi i arrestimit këtyre zyrtarëve nga ana e prokurores, Lumturije Vuçeta.

Ajo fillimisht nuk has në drejtorin, Rajan Arapi dhe më pas vazhdon kontrollën në Drejtorinë e Urbanizmit duke kërkuar që të hapet zyra e drejtorit dhe më pas të merren dosjet e nevojshme për hetim.

Sipas dosjes të cilën e ka siguruar KALLXO.com, drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, dyshohet se kishte blerë banesë nga kompania  “Dukagjini” të cilës i kishte lëshuar leje për mbindërtim edhe pse një leje e tillë nuk parashihet në ligjin për ndërtimet.

Lejet ndërtimore të lëshuara për mbindërtim sipas Prokurorisë nuk parashihen në Ligjin për ndërtim dhe se janë lëshuar në bazë të planit zhvillimor komunal Peja 2020 – 2028, plan i cili akoma nuk është aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Përpos lejes për kompaninë “Dukagjini”, dyshimet për keqpërdorim shfaqen edhe për lëshimin e lejes ndërtimore për kompaninë “ART Com” për ndërtimin e objekteve banesore.

Dyshimet për keqpërdorim sipas Prokurorisë paraqiten në momentin kur kompania “ART COM” merr leje për ndërtimin me etazhitet 2B+P+6K ndonëse me planin zhvillimor urban për zonën në fjalë parashihej etazhiteti maksimal P+5K.

Përpos kompanive “Dukagjini” dhe “Art Com”, drejtori i Urbanizmit dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij edhe në kohën kur ka lëshuar lejet për kompaninë “El production Sh.P.K”.

Bashkë me zyrtarët e Pejës, në këtë aksion të Policisë së Kosovës u arrestuan edhe zyrtarë komunalë nga Istogu dhe Klina.