Molliqaj: Kryeministri po i bën favore KESCO-s, KOSTT-in po e çon në shkatërrim

Kryetari Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj në protestën e organizuar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po i bën favore kompanisë KESCO dhe se për dy muaj janë ndarë nga taksat e qytetarëve deri në 120 milionë euro.

“Kryeministri aktual ka dhjetë vite që ka fol për dëmet te privatizimit të distribucionit. Askush më shumë se ky kryeministër nuk i ka bërë bo favor kësaj kompanie. Për dy muaj i ka nda nga taksat tona, nga buxheti i Kosovës, hiç më pak se 120 milionë euro. Kjo kompani pas 120 milionëve që i ka marrë deri më tani, e ka ndërmend ta bankrotojë KEK-un. Qe tre muaj ia ka KEK-ut ja ka 50 milionë euro borxh, rrymë të cilën na e ka shitë neve”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj gjithashtu e ka quajtur Kurti ‘tuc’ dhe se nuk po guxon të faturojë energjinë elektrike në veri që sipas tij po e qon drejt shkatërrimit, kompaninë KOSTT.

“Trimat kanë shok e shoqe, tucat kanë masha për ta ruajtur veten. Krejt institucionet e shtetit i ka vendosë në distribucion të frikës dhe paranojës së tij. Ky tuc edhe pasi e ka vendimin prej Gjykatës Kushtetuese, që duhet të faturohet secili prej energjisë elektrike në veri nuk po guxon të faturojë këtë energji elektrike dhe po e qon drejt shkatërrimit kompaninë KOSTT”, tha Molliqaj.

Tutje Molliqaj ka akuzuar Kurtin se ka marrë paratë e qytetarëve dhe po planifikon që t’i paguajë bankat.

“Ky frikacak i ka marrë paret tona dhe ka planifikuar pagimin për bankat. Ne do të paguajmë rrymën për banka dhe për ata që nuk prodhojnë”, ka shtuar ai.

Kryetari i PSD-së ju ka bërë thirrje qytetarëve që të dëgjojnë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) dhe se nuk do të ndalen derisa ai propozim të mos kalojë.

“Duhet t’i hapim veshtë e ta dëgjojmë ZRrE-në. Ai propozim i ZRrE-së, duhet menjëherë, pa ndërprerë të hidhet poshtë. Ai propozim nuk ka me kalu, sat ë ka qytetarë aktiv dhe sat ë jemi të gjithë bashkë. Porosia jonë është e qartë, nuk do të ndalemi, ju duhet të ktheni atë aktvendim mbrapa. Deri sa ju nuk ndaleni ne do të jemi çdo ditë edhe ma shumë, ma të fuqishëm e më të guximshëm”, tha Molliqaj.